Izraeli ka ndaluar një numër të madh anijesh që transportonin aktivistë të huaj dhe ndihma për në Gaza, ndërsa 30 anije të tjera vazhdojnë të lundrojnë drejt territorit palestinez.
Në një video të publikuar nga Ministria e Jashtme e Izraelit shihen shumica e aktivistëve më të njohur që ndodhen në anije, përfshirë edhe aktivisten suedeze për klimën, Greta Thunberg.
Flota Global Sumud, që po transporton ilaçe dhe ushqime për në Gazë, përbëhet nga më shumë se 40 anije civile dhe afër 500 ligjvënës, avokatë dhe aktivistë.
Pas ndalesës, autoritetet në Tel Aviv lajmëruan se të gjithë aktivistët janë shëndosh e mirë dhe do ti kthejnë në Evropë.
“Pasagjerët e Sumudit të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, janë nisur drejt Izraelit, ku do t’iu nënshtrohen procedurave të dëbimit në Evropë. Pasagjerët janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore”, tha ministria e Jashtme e Izraelit në një deklaratë.
Flota Sumud është përpjekja më e madhe detare për të thyer bllokadën që Izraeli ka vendosur ndaj Gazës, ku po zhvillohet një luftë pothuajse 2 vjeçare.
Anijet ndodheshin rreth 70 milje detare larg Gazës kur u ndalën, brenda një zone që Tel Avivi e patrullon vazhdimisht dhe ndal çdo anije që afrohet.
Më herët, marina izraelite paralajmëroi flotën se po i afrohej një zone ku ka luftime dhe po shkel bllokadën, duke kërkuar që anijet të ndryshojnë drejtimin.

Leave a Reply