“La Traviata” një nga veprat më të dashura të kompozitorit Giuseppe Verdi, për katër net me radhë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit u mirëprit nga publiku. Salla e madhe e TKOB ishte e mbushur plot me mbi 3200 artdashës, ku entuziazmi i publikut tejkaloi çdo parashikim. Një sukses i ndërtuar mbi vizionin e mjeshtrit Hugo de Ana, regjisor i njohur ndërkombëtarisht, i cili solli në Tiranë një skenografi dhe kostumografi të mbushur me elegancë dhe simbolikë. Nën drejtimin muzikor të Maestros Francesco Ommassini, Orkestra Simfonike e TKOBAP dhuroi një interpretim të fuqishëm, që bashkoi delikatesën me pasionin që e karakterizon këtë vepër.
Kori i TKOB-së përgatitur me mjeshtëri nga maestro Dritan Lumshi, si dhe baleti me koreografi nga Michele Cosentino, që i dha veprës dimension të ri vizual, e ngritën produksionin në një nivel të lartë artistik. Salla e mbushur, kërkesat e vazhdueshme për bileta deri në ditën e fundit, si dhe duartrokitjet e gjata në fund të çdo akti, janë dëshmia e suksesit të “La Traviata”-s në Tiranë. Publiku përjetoi jo vetëm një opera, por një udhëtim të thellë emocional, nga gëzimi e dashuria tek sakrifica dhe tragjedia.
Ky produksion shënon një tjetër gur themeli në historinë e TKOBAP, duke provuar edhe njëherë se teatri është i aftë të sjellë shfaqje që qëndrojnë në një nivel me skenat ndërkombëtare. Opera “La Traviata” me solistë shqiptarë dhe të huaj u shfaq në datat 26, 27, 28 dhe 29 shtator dhe erdhi në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit si një produksion i ri. Gjatë këtyre ditëve TKOB ka publikuar herë pas here materiale për “La Traviatën”, çfarë përcolli ajo te publiku, etj. Opera “La Traviata” bën pjesë tek e ashtuquajtura sipas historisë së muzikës triologji popullore, ku bëjnë pjesë tre operat “Il Trovatore”, “Rigoletto” dhe “La Traviata”, të cilat janë tre operat më të shfaqura në botë.
“La Traviata” në TKOB,publiku përjetoi një udhëtim të thellë emocional nga gëzimi e dashuria tek sakrifica e tragjedia
