Shtëpia e Bardhë ngrin fondet për shtetet demokrate në një akt ndëshkues gjatë mbylljes së qeverisë

Administrata e Presidentit të SHBA, Donald Trump, ka ngrirë 26 miliardë dollarë fonde të destinuara për shtetet demokrate, duke zbatuar kërcënimin për të përdorur mbylljen e qeverisë si mjet ndëshkimi ndaj prioriteteve të demokratëve.Programet e prekura përfshijnë 18 miliardë dollarë për projekte të transportit publik në Nju Jork, vendlindja e dy figurave kryesore demokrate në Kongres, si dhe 8 miliardë dollarë për projekte energjie të gjelbër në 16 shtete të udhëhequra nga demokratët, përfshirë Kaliforninë dhe Illinois-in.Zëvendëspresidenti JD Vance paralajmëroi se administrata mund të zgjerojë shkarkimet nga puna në shërbimin civil federal nëse mbyllja zgjat më shumë se disa ditë.Lëvizjet e së mërkurës e bënë të qartë se Trump ishte i gatshëm të përmbushte paralajmërimet për të shfrytëzuar mbylljen e qeverisë si një mjet për të ndëshkuar kundërshtarët politikë dhe për të konsoliduar kontrollin e tij mbi buxhetin federal prej 7 trilionë dollarësh, një kompetencë e përcaktuar nga Kushtetuta e SHBA si përgjegjësi e Kongresit.“Mund të kursehen miliarda dollarë,” shkroi ai në Truth Social të mërkurën në mbrëmje.Kjo është mbyllja e 15-të e qeverisë që nga viti 1981, duke pezulluar kërkimet shkencore, mbikëqyrjen financiare, përpjekjet për pastrimin e mjedisit dhe një sërë aktivitetesh të tjera qeveritare.Rreth 750,000 punonjës federalë janë urdhëruar të mos punojnë, ndërsa të tjerë, përfshirë ushtarët dhe agjentët e Patrullës Kufitare, kanë filluar të punojnë pa pagesë. Departamenti i Çështjeve të Veteranëve njoftoi se do të vijojë me varrimet në varrezat kombëtare, por nuk do të vendosë gurë varri dhe as do të kositë barin.Vance deklaroi në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë se, nëse mbyllja zgjat më shumë se disa ditë, administrata do të detyrohet të nisë shkarkime nga puna, përveç 300,000 të tjerëve që parashikohet të largohen deri në dhjetor. Mbylljet e mëparshme nuk kanë çuar në shkarkime të përhershme.Zyra për Patenta dhe Marka Tregtare e SHBA njoftoi se do të shkarkojë 1% të 14,000 punonjësve të saj.Schumer akuzon për shantazh me mbylljen e qeverisëHakeem Jeffries, udhëheqësi demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, deklaroi se ngrirja e fondeve për projektet e metrosë dhe porteve në Nju Jork do të çojë në humbjen e mijëra vendeve të punës.Demokrati kryesor në Senat, Chuck Schumer, gjithashtu nga Nju Jorku, akuzoi Presidentin Donald Trump se po ndëshkon qytetarët e thjeshtë për qëllime politike.Lideri republikan në Senat, John Thune, minimizoi shqetësimet se ngrirja e fondeve ishte një formë pengmarrjeje politike.Ndërkohë, Hakeem Jeffries tha se nuk ka pasur asnjë komunikim me Shtëpinë e Bardhë që nga takimi me Trump në fillim të javës.Ditë e re, votim i ri, rezultate të njëjtaNë të njëjtën kohë, Senati rrëzoi sërish përpjekjet për të rikthyer funksionimin e qeverisë, pasi një propozim republikan për të financuar qeverinë deri më 21 nëntor dhe një propozim demokrat që përfshinte fonde shtesë për kujdesin shëndetësor dështoi në votime.Republikanët e Trump kanë një shumicë prej 53 me 47 në Senat, por u duhen të paktën shtatë vota nga demokratët për të kaluar pragun prej 60 votash të nevojshme për ligjet e shpenzimeve.Në qendër të krizës aktuale është një paketë prej 1.7 trilionë dollarësh për operacionet e agjencive federale, afërsisht një e katërta e shpenzimeve vjetore. Pjesa tjetër shkon për programe shëndetësore dhe pensioni, si dhe për pagesën e interesave të borxhit federal që ka arritur në 37.5 trilionë dollarë.Një grup senatorësh u mblodh në sallën e Senatit gjatë votimit, duke kërkuar një rrugëdalje nga ngërçi.Demokratët kërkojnë gjithashtu garanci që Trump nuk do të shpërfillë ligjet e shpenzimeve që vetë ai nënshkruan, një praktikë që ka ndjekur disa herë që kur u rikthye në detyrë.Të dy palët përpiqen të fajësojnë njëra-tjetrën për mbylljen e qeverisë, duke kërkuar avantazh përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit të vitit 2026, të cilat do të përcaktojnë kontrollin mbi Kongresin.Demokratët fajësojnë republikanët, të cilët kontrollojnë pushtetet kryesore në Uashington, për krizën. Nga ana tjetër, republikanët akuzojnë demokratët se po dorëzohen përballë presioneve partiake për të kundërshtuar Trump, ndonëse më parë kanë mbështetur ligje të ngjashme për shpenzimet.Ata përsëritën gjithashtu një pretendim të rremë se propozimi demokrat do të zgjeronte mbulimin shëndetësor për personat që ndodhen në vend në mënyrë të paligjshme.Sipas Zyrës Jo-partiake për Buxhetin (CBO), plani demokratik do të rikthente mbulimin vetëm për kategori të caktuara të emigrantëve që ndodhen ligjërisht në SHBA, si azilkërkuesit dhe punëtorët me viza pune.Ndërkohë, disa agjenci qeveritare publikuan njoftime në faqet e tyre zyrtare ku fajësonin “të majtën radikale” për mbylljen, një shkelje e mundshme e ligjit të njohur si Akti Hatch, që ndalon përdorimin e shërbimeve qeveritare për qëllime politike.Mbyllja më e gjatë e qeverisë amerikane, 35 ditë gjatë mandatit të parë të Trump, përfundoi vetëm pasi vonesat në fluturime, për shkak të mungesës së kontrollorëve të trafikut ajror, e bënë situatën të papërballueshme. / ReutersKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.