Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kritikave lidhur me Diellën, Ministren e Inteligjencës Artificiale. Në Kopenhagen, ku po merr pjesë në Komunitetin Politik Europian, kreu i qeverisë sqaroi se me anë të Diellës, vendi ynë po përshpejton në disa sektorë, me në krye procesin e integrimit.
“Kjo është diçka e re dhe si çdo gjë e re që është përballet me çdo kritikë, gjë që është gjë e mirë. Por kemi provuar se po funksionon dhe shumë mirë. Ka nisur si një asistente virtuale për shërbime publike për qytetarët dhe ka pasur interaktivitet për 1 milion njerëz, për 1 milion shërbime. Së dyti, ajo po punon për transferimin e legjislacionit të BE-së në legjislacionin tonë. Dhe së treti, tani për tenderat publikë që janë në zhvillim e sipër”, tha Rama.
Procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në union e cilësoi të mbarë, por nuk harroi të theksonte se fjala e fundit i mbetet Bashkimit Europian.
“Nuk po presim, po vrapojmë shumë shpejt dhe do të jemi gati shumë shpejt. Varet nga të mëdhenjtë në dhomë të mos presin më, por të na përqafojnë dhe të na marrin, sepse kjo do të jetë një Evropë e madhe dhe e vlerësuar”, tha Rama.
Këtë të enjte, kreu i qeverisë do t’i bashkohet 27 liderëve të BE-së, si dhe 22 përfaqësuesve të vendeve të tjera, përfshirë dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Samiti në Danimarkë ka në fokus forcimin e Ukrainës, situatën e sigurisë në Evropë dhe mënyrat për të përmirësuar stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit./vizionplus.tv
