Avokati i familjarëve të viktimave të “21 janarit” Idajet Beqiri, zbulon të pathënat: Ja pse SPAK po e zvarrit dosjen..

Dosja e “21 Janarit”, një nga plagët më të rënda të shtetit shqiptar, vijon të endet mes zvarritjes së SPAK dhe presionit të fortë ndërkombëtar. Avokati i familjarëve të viktimave, Idajet Beqiri, ka hedhur dritë mbi prapaskenat e vonesave, duke akuzuar drejtuesin e SPAK, Altin Dumanin, se po heziton përballë presioneve dhe kërcënimeve të hapura të Sali Berishës. Ai u shpreh për gazetën “SOT” se SHBA i ka dhënë tre muaj afat Dumanit që të çojë në gjyq çështjen e 21 Janarit, ndërsa ka theksuar se pa thirrjen si dëshmitarë të tre figurave kyçe, Edi Rama, Ina Rama dhe Bamir Topi hetimi nuk mund të quhet i plotë. Beqiri paralajmëron se drejtësia ligjore mund të vonohet, por nuk do të shmanget, duke rikujtuar se Gjykata e Strasburgut dhe Gjykata e Lartë tashmë e kanë cilësuar 21 Janarin si “krim shtetëror”.
“Shqiptarët e kanë të qartë faktikisht, por ia vlen që t’ua ritheksosh. Reforma në drejtësi, SPAK-u, pra, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme u krijuan për të goditur krimet e rënda që kishin ndodhur në këtë vend. Siç është korrupsioni i lartë shtetëror, vrasjet e mëdha që kishin ndodhur në këtë vend. Posaçërisht u ngritën për të gjykuar Gërdecin, për të gjykuar 21 Janarin, për të gjykuar 14 Shtatorin e 1998-ës, për të gjykuar aferat e tjera të rënda korruptive, vjedhjen e floririt të Krabës.
Pra, ato krime që ishin të rënda dhe kishin ndodhur në këtë vend, dhe për këtë shkak Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën “non grata” Berishën me gjithë familjen e tij. U ngrit SPAK në vitin 2016 që të luftonte pikërisht këto. Nuk u ngrit SPAK që të luftonte e të merrej me këto që do vinin. Kurse SPAK faktikisht, këto me të cilat duhej marrë dhe këtë kishte objektin e vet të punës, i ka lënë atje në hije. Nuk po merret me këto. Për këto u krijua, po me këto nuk po merret ashtu siç duhet. Me 21 Janarin ka ngecur, se e zvarrisin vetë. E zvarrisin se janë frikacakë, se nuk kanë guxim. Edhe për këtë shkak u thirr Dumani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe iu tha: “Ke dhe tre muaj kohë. Jepi, çoje 21 Janarin në gjyq.”.
“Mos e turpëro veten tani, se ke bërë disa punë të mira, edhe mund të vlerësohesh mirë për këto punë”. Por kjo ngecje do të thotë që po e bën si lopa: e mbushe kovën me qumësht dhe tani jep një shkelm, sepse ke frikë. Prandaj, çoje 21 Janarin në gjyq. Dumani ka frikë nga organizata kriminale e Sali Berishës, nga banda kriminale e tij. Pra, këta ka frikë. Sa herë shkon Saliu në SPAK për të plotësuar një detyrim ligjor, siç është detyrimi për t’u paraqitur atje për krimet që ka bërë dhe për krimin që është akuzuar dhe është në gjykim tashmë drejt fundit të dënimit të tij. Ai vetë i thotë Dumanit: “Je kriminel, je organizatë kriminale, do të fus në burg,” e të tjera. Dhe Dumani rri, mban sehir, edhe gjithë organet e tjera të drejtësisë të këtij vendi mbajnë sehir. Nuk e ngrenë të paktën zërin dhe nuk ia mbyllin të paktën këtë gojë kriminale, këtë gojë helm në çdo lloj pikëpamje. Pra, këto janë kërcënime të hapura”, u shpreh Idajet Beqiri.
Dëshmitarët
Avokati ka folur gjithashtu për tre dëshmitarët që duhet të thërrasë me urgjencë SPAK. “Më mirë, më bukur dhe më fortë sesa e citoi dhe e shkruajti të zezën mbi të bardhë Gjykata e Strasburgut. Me emër dhe me mbiemër: Sali Berisha. Me emër dhe mbiemër është krim shtetëror, dhe krimin shtetëror e bën kryeministri, e bën ministri i brendshëm. Këtë gjë e tha dhe Gjykata e Lartë. SPAK-u pyeti sa mundi dëshmitarët dytësorë. Tani, në vend që të thërrasë urgjentisht edhe Edi Ramën si dëshmitar, edhe Ina Ramën, e cila e shkatërroi atë proces faktikisht – pavarësisht se Saliu i shtrëngoi këmbët dhe i tha “laviere bulevardi”, atë e zuri tmerri, e la, dhe provat që ishin u mundua t’i priste, edhe si rrjedhojë mori gradimin tani atje ku ka vajtur, por ajo duhet të thirret të japë shpjegime për këtë punë. Duhet të thirret ish-presidenti i vendit, Bamir Topi, që ka bërë gjithë atë libër, duhet ta thërrasin të japë shpjegime çfarë ndodhi atë ditë, se ka shumë gjëra për të thënë edhe ai. Pra, këta dëshmitarë që janë ndër kryesorët duhet të thirren. Dhe pastaj menjëherë t’i komunikohet akuza edhe Lulzim Bashës, edhe Sali Berishës. Kaq më ka ngelur ajo dosje”, tha avokati.
Çfarë do ndodhë me dosjen?
Gjithashtu Idajet Beqiri shprehet se familjarët do të marrin në fund drejtësinë, por do të jetë drejtësi e vonuar. “Drejtësinë ata do ta marrin, por do të jetë drejtësi e vonuar. Faktikisht, ata drejtësinë, në kuptimin moral, politik, dhe në kuptimin e opinionit gjithëkombëtar shqiptar, e morën nga Gjykata e Strasburgut, se u tha: “Është krim shtetëror, vrasje shtetërore, pa urdhër të kryeministrit apo të ministrit të brendshëm kurrë nuk e bënte Garda”. E morën nga Gjykata e Lartë, e cila e urdhëroi Prokurorinë (SPAK).
Gjykata e Lartë tha: “Regjistro procedimin penal dhe vazhdo hetimet, sepse ka ndodhur një krim i rëndë shtetëror me katër vrasje edhe me një numër të konsiderueshëm të ngelur në tentativë vrasje, sikurse ishte dhe gazetari Fatos Mahmutaj dhe të tjerë me radhë”. Pra, ata e kanë marrë, por duan drejtësinë ligjore tani nga shteti shqiptar. Këtë drejtësi ligjore këta po e vonojnë. Por sado që ta vonojnë, do thyejnë kokën e tyre, do thyejnë qafën e tyre, sepse vonesa ka një kufi.
Sido që të vijë problemi, prapë Strasburgu është ai që do t’i vërë vulën përfundimtare kësaj pune. Jam i bindur që Dumani i ka marrë urdhërat e plotë që mos ta mbajë këtë çështje zvarrë. Nuk është çështje që ka qenë për ta mbajtur zvarrë. Ai prokurori Shehu që u mor me hetimin e kësaj, po të ishte për të, kjo dosje u varros. Ai nuk e nisi fare procedimin penal, madje edhe në Gjykatën e Lartë insistonte thoshte: “Nuk duhet të merremi ne me këtë çështje,” derisa Gjykata e Lartë mori vendimin dhe i dha atë goditjen që duhej. Ai s’duhet të ishte fare prokuror i kësaj çështjeje, sepse e shprehu mendimin e tij kur thotë që nuk ka vepër penale.
Ti je i mbaruar atje, duhet të tërhiqesh, dhe ai s’u tërhoq. Pra, në dorë tani e ka Dumani. Dumani, para se të ikë, para se të lërë detyrën, duhet ta çojë 21 Janarin në gjyq. Po nuk e çoi 21 Janarin në gjyq, deri tani shqiptarët e kanë vlerësuar me notë shtatë, jo më shumë, por do të bëhet ngelës, do ngelet në klasë. Të tjerat nuk arriti dot ai as t’i prekte, as t’i gërvishte, le më pastaj që të vepronte e t’i hetonte”, tha ai ndër të tjera.