Vepra shqiptare dhe të huaja përgjatë tetorit në Teatrin Kombëtar, në skenë dhe premiera “Si ta doni” e Shekspirit

Nga Julia Vrapi
Vepra teatrore shqiptare dhe të huaja përgjatë këtij muaji janë pjesë e kalendarit artistik të Teatrit Kombëtar. Programi artistik këtë muaj në teatër nis me shfaqjen teatrore “Ferma e kafshëve”, por në skenën në ditët fundit të tetorit do të jetë dhe premiera e komedisë “Si ta doni”, vepër e Shekspirit. “Ferma e kafshëve” rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar te “Ar Turbina” në mbrëmjet e datave 2, 3, 4 dhe 5 tetor. Një përshtatje e veçantë e alegorisë së famshme nga George Orwell, që flet për pushtetin, manipulimin dhe shpresën. “Ferma e kafshëve” vjen në skenë me regji nga Driada Dervishi. Në “Fermën e kafshëve” në role janë aktorët Neritan Liçaj, Hervin Çuli, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Anila Bisha, Donald Shehu, Niada Saliasi, etj.
“Ferma e kafshëve” një produksion i Teatrit Kombëtar shënoi më parë premierën në vitin 2021, por nuk ka vijuar edhe skenat e teatrove të tjerë në vend apo edhe në festivale. Vepra teatrore “Turjela” produksion i Teatrit Kombëtar që erdhi në skenë në maj 2024 rikthehet për publikun. Vepra vjen në skenë me ngjarje që zhvillohen në Shqipëri në kohën e diktaturës. Sigurimi i shtetit ka një detyrë speciale për shkrimtarin Dritan Korami…të raportojë mendimet e gabuara të dikujt në familjen e tij! Nëse nuk e bën ndoshta mund të ketë pasoja për të vetë dhe ai merr një vendim. “Turjela” shkruar dhe me regji nga Saimir Gongo sjell në role aktorët Helidon Fino, Olta Daku, Muzafer Zifla, Neritan Liçaj dhe Indrit Çobani dhe do të jetë në skenë në datat 9, 10, 11 dhe 12 tetor. Në vijim kalendari artistik i TK-së këtë muaj vijon me “Pushtimi” me Gent Hazizin në 15 tetor. Por veç shfaqjeve teatrore programi artistik vijon edhe me “International Dance Festival of Tirana”.
 Vepra e Shekspirit në skenë
Premiera teatrore “Si ta doni” vepër e Shekspirit do të shfaqet për publikun në datat 30 dhe 31 tetor. Komedia është në sezonin e ri artistik 2025-2026  të Teatrit Kombëtar dhe do të vijë në skenën teatrore me regji nga John Blondell dhe me një kastë aktorësh të njohur të teatrit. Komedia ka në role aktorë si Genti Deçka, Lulzim Zeqja, Laert Vasili, Luli Bitri, Elia Zaharia, Donald Shehu, Dritan Boriçi, Besmir Bitraku, Flaura Kureta, Erjona Kakeli, etj. Regjisori John Blondell ka sjellë edhe më parë në skenën tonë teatrore vepra të Shekspirit, por këtë herë me regji prej tij vjen premiera teatrore “Si ta doni”.
Në origjinal “As you like it” komedi nga William Shakespeare është përkthyer nga Skënder Luarasi. Fabula është mjaft e thjeshtë: problemi dramatik në sjelljen e çoroditur të dy vëllezërve të ligj ndaj dy vëllezërve të mirë, si dhe pengesat e lidhura me këtë sjellje ndaj martesës së disa çifteve në këtë pjesë teatrore (sidomos të Rozalindës me Orlandon) zgjidhen pa vështirësi dhe, pa pikë dyshimi, kemi të bëjmë me një fund të lumtur. Trupa e aktorëve të Teatrit Kombëtar ka vijuar këto ditë shtatori provat për të sjellë në skenë shfaqjen “Si ta doni”, por sezoni i ri artistik 2025-2026 do të ketë dhe të tjera vepra të Shekspirit.