Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Gjykatës së Posaçme për grupin që kreu grabitjen spektakolare në aeroportin e Rinasit në prill të vitit 2019, ku u morën 4.6 milionë euro.
Anëtarët e grupit, pas dënimit nga Apeli, kishin bërë rekurs duke kërkuar uljen e dënimit, por kërkesa e tyre është rrëzuar, duke vulosur kështu përfundimisht vendimin me 122 vite burg në total për 7 të pandehurit.
Sipas vendimit, Klement Çala është dënuar me 20 vite burg, ndërsa vëllai i tij Eldi Çala, si dhe Oltion Veseli, Renaldo Sula, Saimir Çela, Elton Pikli dhe Alkond Bengasi, do të vuajnë nga 17 vite secili. Ndërkohë, Talo Çela, i cili vijon të jetë në arrati, është dënuar veçmas me 19 vite burg.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 9 prill 2019, kur grabitësit, të maskuar dhe të armatosur, hynë në pistën e aeroportit me një fugon të përshtatur me logon “Hetimi Tatimor” dhe nën kërcënimin e armëve morën 7 thasë me para që po ngarkoheshin në avion. Gjatë ndjekjes nga policia, u vra në shkëmbim zjarri organizatori kryesor, Admir Murataj, i konsideruar “koka” e grupit.
Pas hetimeve të gjata, vëllezërit Çala u arrestuan në mars 2020 në Qerret, ndërsa për Talo Çelën procesi vijon i ndarë.
Grabitën 4.6 mln euro në Rinas, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e grupit kriminal. Në fuqi dënimin me 122 vite burg
