Kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi menjëherë pasi presidenti Bajram Begaj dekretoi datën 9 nëntor për zgjedhjet në Tiranë dhe 5 bashki të tjera të vendit.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë, Begaj e ka kryer puç Kushtetues.
Ai akuzon Presidentin si një robot që komandohet nga Rama.
“Asnjë surprizë nga Bajram Begaj! Ashtu siç kishim paralajmëruar, Bajram Begaj nuk është President i shqiptarëve, por një robot që komandohet nga Edi Rama. Me shkeljen e rëndë që ka kryer sot ndaj Kushtetutës, Presidenti i Republikës ka kryer një puç kushtetues sepse ka rrënuar edhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe themelet mbi të cilat ndërtohet shteti i së drejtës.
Zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Tiranë janë futur në një ngërç kushtetues për shkak të aktit të sotëm të Presidentit të Republikës. Juridiksionin e shqyrtimit të ankimit ndaj VKM-së së shkarkimit nuk e cakton Edi Rama në relacion, por Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Një mandat kushtetues nuk mund të ndërpritet veçse për shkaqet e parashikuara shprehimisht në Kushtetutë dhe kjo i nënshtrohet kontrollit kushtetues.
Askush në 35 vjet demokraci nuk e ka dëmtuar kaq shumë reputacionin e Kreut të Shtetit. Arsyet janë tërësisht banale: Edi Rama ka marrë peng Bajram Begajn, dhe e komandon atë njëlloj si “Diellën”, shkruan Bardhi.
/vizionplus.tv
