Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dorëzuar javën e kaluar pranë drejtorisë së QSUT-së një raport auditimi për barnat në Spitalin Onkologjik, që mbulon periudhën 2021–2025. Raporti evidenton një situatë alarmante me mungesa të gjata të barnave antitumorale, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e pacientëve me kancer.
Në dokument thuhet se një numër i madh medikamentesh nuk kanë qenë të disponueshme për periudha të gjata, duke lënë pacientët në kushte të vështira. Gjithashtu, në sistemin e brendshëm të Farmacisë Qendrore, të quajtur Pentaho, janë konstatuar dy medikamente kimio të skaduara.
Raporti nënvizon se pacientët me kancer gjaku kanë vuajtur nga mungesa e barit daratumumab, për të cilin QSUT ka bërë një furnizim prej 4000 flakonësh vetëm gjatë vitit 2025, por që sërish nuk ka rezultuar i aksesueshëm për pacientët, duke ngritur dyshime për keqmenaxhim.
Nga 253 barna antitumorale që duhet të ishin në dispozicion, 116 nuk janë importuar, çka do të thotë se në periudhën 2021–2025, 46% e kimioterapive nuk kanë hyrë fare në Shqipëri. Për barnat specifike si “Actinomycin”, raporti thekson se nuk ekziston asnjë kontratë aktive për importimin e tij, ndërsa për Phesgo, i përdorur për trajtimin e grave me kancer gjiri, ka pasur periudha kur gjendja në farmacinë qendrore ka qenë zero.
KLSH ngre gjithashtu shqetësimin se barnat onkologjike janë të nënfinancuara nga shteti shqiptar, duke shtuar rrezikun e vonesave dhe të mos-trajtimit në kohë të pacientëve.
KLSH publikon raportin tronditës, zbulon mungesa të mëdha të barnave onkologjike në QSUT
