Kryebashkiaku i shkarkuar Erion Veliaj ka reaguar ditën e sotme pas disa ditësh heshtje që nga shkarkimi i tij me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Me anë të një postimi në Facebook, Veliaj teksa ka bërë një shkrim të gjatë, paralajmëron se ky është rrëfimi i tij i parë nga një seri rrëfimesh që do të vijnë në ditët në vijim.
Veliaj në postim ka targetuar të gjithë personat, që sipas tij kanë kontribuuar në kurthin e ngritur ndaj tij me ose pa dashje. Në fund të postimit të tij, Veliaj ka treguar dhe arsyet se përse do t’i bëj këto rrëfime, që sipas tij janë për tre grupe të specifikuar njerëzish.
“Për të tjerët, që u bënë me vetëdije apo me zell politik pjesë e këtij fabrikimi. Dua t’u them se unë jam i burgosur, por nuk jam në burg. Jam i qetë dhe i çliruar në ndërgjegjen time. Shpresoj që të keni fuqi të çliroheni nga burgu i ligësisë suaj ku keni mbyllur veten, pasi e vërteta e rrëfimi do t’ju bëjë të lirë,” shkruan Veliaj.
Reagimi Erion Veliajt:
Uroj të jeni mirë! Mirënjohje për qindra letrat tuaja, që më japin kurajë çdo ditë. Jam mirë, më i fortë e më i vendosur se kurrë në betejë me të ligën! Po postoj për të gjithë, rrëfimin e parë të një serie rrëfimesh, nga ata që, me ose pa dashje, kontribuan në kurthin e ngritur ndaj meje, që prodhoi një hetim të paligjshëm nga anonimati, një vetting 20 vjeçar të të gjithë jetës sime nga rinia, një Kryeqytet të sabotuar teksa ishte në kulmin e suksesit, një persekutim çnjerëzor të familjes sime, e një izolim grotesk, si të isha kriminel lufte apo drejtues kartelesh.
Lexojeni, se prej kësaj gënjeshtre të parë nisën protestat e rreme, u amplifikuan me kallëzime anonime, u ngjizën akuza me kërcënim dëshmitarësh e u bitis me shkallmimin e Kryeqytetit tonë Tiranës. Ndaj, secili duhet ta lexojë apologjinë noteriale të Gabriele Tarroni Longinotti-t, si leksion për të ardhmen.
E bëj këtë për disa grupe:– [ ] Për italianin, që as më njeh e as e njoh, por që nisi një zinxhir jetëshkatërrues ngjarjesh, që të kuptojë se nuk jam hakmarrës, por ai dhe kushdo tjetër këtu në Shqipëri, duhet të kuptojë që fjalët kanë peshë, e kur janë të rreme thyejnë karriera, qytete e familje, që do duan dekada të rikuperohen.– [ ] Për të tjerët, që u bënë me vetëdije apo me zell politik pjesë e këtij fabrikimi. Dua t’u them se unë jam i burgosur, por nuk jam në burg. Jam i qetë dhe i çliruar në ndërgjegjen time. Shpresoj që të keni fuqi të çliroheni nga burgu i ligësisë suaj ku keni mbyllur veten, pasi e vërteta e rrëfimi do t’ju bëjë të lirë!– [ ] Por, më e rëndësishmja e bëj për çdo shqiptar që jeton me frikë mos përgjohet, kërkon linjë të sigurt të flasë me të shtëpisë, kthen kokën pas mos po e ndjekin, vë gishtin mbi buzë se mos dëgjohet, apo fsheh telefonin poshtë vitheve në karrike! Shqipëria nuk është një koloni penale dhe s’duhet lejuar kurrë kjo re e zezë frike që ka kapluar vendin në emër të drejtësisë së re.Ju përqafoj me mall të gjithëve! Do të luftoj për vete dhe për secilin prej jush!Pjesë nga rrëfimi noterial më poshtë:(1) Nuk kam parë kurrë z. Erion Veliaj të udhëtojë, vetëm apo në prani të personave të tjerë, në Itali apo të takojë dikë, aq më pak që qëllimi i një vizite të tillë të kishte lidhje me inceneratorin;(2) Nuk e kam takuar kurrë z. Erion Veliaj, as personalisht as në prani të personave të tjerë, as në Itali as në Shqipëri, në “Cioccolati Italiani” apo “Tribe”, dhe as nuk kam komunikuar me të, as personalisht as përmes personave të tjerë, me telefonata, mesazhe apo në ndonjë formë tjetër komunikimi;(3) Nuk kam as njohuri e as prova që z. Erion Veliaj të ketë marrë pjesë apo të ketë qenë i përfshirë në blerjen e inceneratorit që kishim në Rumani;(4) Të gjitha deklaratat që kam dhënë në lidhje me z. Erion Veliaj, në intervistat e mia për programin “Piranjat” në “Syri TV”, si edhe ato që kam lënë të kuptohet, janë të pavërteta dhe janë bërë prej meje në këmbim të premtimeve nga ana e këtyre mediave televizive dhe personave të afërt me to, për përfitime financiare.
Si u shkarkua Veliaj?
Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi pro shkarkimit të kryebashkiakut Erion Veliaj disa ditë, pas urdhërit nga Kryeministri Rama. Motivi që Këshilli Bashkiak Tiranë votoi për shkarkimin e Erion Veliajt është mosparaqitja në detyrë prej më shumë se 3 muaj. Ndërkohë që Veliaj ka sqaruar në kërkesën e tij se mungesa për më shumë se tre muaj, nuk është si pasojë e vullnetit të tij, por si rrjedhojë e një mase sigurie, të cilën do ta kundërshtojë në të gjitha instancat gjyqësore.
Veliaj ankimon shkarkimin
Pas shkarkimit, Erion Veliaj i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për anulimin e vendimit për shkarkimin e tij nga tij nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës. Në kërkesën e depozituar nga avokatët e tij mbrojtës më Gjykatë Kushtetuese, theksohet se shkarkimi i tij është i paligjshëm dhe antikushtetues. Në kërksën e Veliajt janë renditur 15 argumente të ndryshme që kundërshtojnë shkarkimin e tij nga detyra. Sipas Veliajt, neni 62 i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës, por duhet interpretuar gjithmonë në përputhje me të. Në këtë nen thuhet se çdo shkarkim pa një shkelje të rëndë të provuar është i paligjshëm dhe bie ndesh me parimet kushtetuese.
Për çfarë akuzohet Veliaj?
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.
Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.
