Burimi:
Javanews.al

Foto © Javanews.al
Nuk u paraqit se kishte këmbën e thyer! Dështon në GJKKO seanca për Bardh Spahinë
Në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) ishte planifikuar për sot zhvillimi i seancës gjyqësore në ngarkim të deputetit demokrat, Bardh Spahia, por seanca ka dështuar për shkak të mosparaqitjes së tij në gjykatë. Sot në seancë do të ishte vetë Spahia i cili do të jepte deklaratat e tij, por mungesa e tij është justifikuar nga avokatët për shkak se ka thyer këmbën prej 1 muaji dhe nuk i rekomandohet të lëvizë. Prokurorja e çështjes, Dorina Bejko pasi ka shqyrtuar dokumentin e avokatëve për gjendjen shëndetësore të Bardh Spahisë, ajo i bëri me dije avokatit se klienti i tyre mund të lëvizë me paterica dhe se duhet të merren masa për paraqitjen e tij në seancën e ardhshme. Seanca e radhës u caktua më 10 tetor dhe në pyetje do të merret Bardh Spahia. Ndërkohë Bardh Spahia është paraqitur në seancat parlamentare të Kuvendit si dhe në mbledhjet e komisioneve apo dhe në ato të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, edhe pse këmbën e ka të thyer. SPAK e çoi për gjykim ish kryebashkiakun e Shkodrës më 26 shkurt. Sipas SPAK, Spahia ka vepruar në shkelje të ligjit duke shkarkuar drejtorin e Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër, pavarësisht se kishte një vendim gjyqësor për pezullimin e këtij akti. SPAK thotë se Spahia, në cilësinë e kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër dhe njëkohësisht si Kryetar i Bashkisë Shkodër, më 18 korrik 2022 ka marrë vendimin për shkarkimin nga detyra të administratorit Mark Molla dhe emëroi një anëtar të FRPD-së.