Konstituohet këtë të mërkurë, 1 tetor, Komisioni për Çështjet e Brendshme, i cili ka zhvilluar sot mbledhjen e parë të drejtuar nga Bledi Çuçi.
Në këtë takim mori fjalën deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i cili ngriti shqetësimin për rënien e euros dhe kërkoi raportime nga Ministrja e Brendshme Albana Koçiu, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genc Sejko, si dhe drejtues të institucioneve të tjera të lidhura me pastrimin e parave. Sipas tij, kjo çështje cënon sigurinë kombëtare.
“Në kuadër të kalendarit, mund të propozojmë që në 3 javët e ardhshme është tepër e rëndësishme të ketë disa raportime. Mendoj se Ministrja e Brendshme duhet të paraqitet për një raportim mbi situatën e kriminalitetit në Shqipëri.Ka rëndësi dhe raportimi i krerëve të disa institucioneve pas raportit të DASH, ku pastrimi i parave mund të konsiderohet si cënim i sigurisë kombëtare. Të thirret edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, edhe Drejtoria e Parandalimit për Pastrimin e Parave.
Rënia e nivelit të euros në raport me lekun ka arritur një situatë shqetësuese, sa shumë punonjës të ndershëm të BSH kanë ngritur alarmin. Rënia e euros, e futur në shuma të mëdha nga ndërtimi, mund të rrezikojë vendet e punës të dhjetëra mijëra shqiptarëve. Një kërcënim i tillë është kërcënim edhe për sigurinë kombëtare. U bë një vit e pak që euro nuk ndal së rëni. Përveç Ukrainës, jemi i vetmi vend ku euro ka rënë. Në Evropë forcohet, në Shqipëri ka rënë,” tha Kapri.
Sjellim ndërmend që në shtator Kuvendi miratoi me votat e mazhorancës socialiste ndryshimet për ndarjen e Komisioneve Parlamentare. Me 79 vota pro, Kuvendi miratoi projektvendimin e paraqitur nga Partia Socialiste për ngritjen e 11 komisioneve të përhershme, nga 8 që ishin më parë.
Konstituohet komisioni për Çështjet e Brendshme, Kapri: Rënia e euros, kërcënim për sigurinë kombëtare
