Nga Julia Vrapi
Vepra “Babai” konsideruar si një nga tekstet më të fuqishme dramatike të kohëve të fundit vjen premierë këtë tetor në skenën teatrore. “Babai” nga autori francez Florian Zeller është vepër që është ngjitur në skena të rëndësishme evropiane, por më 9 tetor shfaqja do të jetë premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me regji nga Erson Zymberi. Në skenën teatrore aktori i njohur Viktor Zhusti vjen me Babait, një tjetër personazh që i shtohet galerisë së tij të pasur me role në teatër. Vepra “Babai” e përkthyer dhe përshtatur për publikun shqiptar, sjell në qendër një histori tronditëse dhe thellësisht njerëzore mbi marrëdhënien mes brezave, kujtesën, dashurinë dhe përballjen me humbjen.
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shprehet se vepra “Babai” vjen në skenë këtë sezon të ri artistik me një qasje regjisoriale moderne dhe interpretim të fuqishëm nga aktorët. “Shfaqja ofron një eksperiencë teatrale të ngarkuar emocionalisht, ku publiku do të shohë veten të reflektuar në dilemën e përjetshme të familjes dhe kujdesit për të dashurit tanë. “Babai” është vepër që ka fituar vlerësime ndërkombëtare dhe është ngjitur në skena të rëndësishme evropiane, duke u konsideruar si një nga tekstet më të fuqishme dramatike të kohëve të fundit”, thuhet nga teatri. Në rolet e tjera të veprës janë aktorët Egla Ceno, Pjerin Vlashi, Linda Jarani dhe Adriana Tolka, ndërsa premiera më 9 tetor në Tiranë duket se është një ngjarje e veçantë për kalendarin artistik të TKEKS. Shfaqja është një produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe muzika është nga Endri Sina, skenograf Bekim Korça, kostumografe Sofi Kara, koreograf Mariel Brahimllari, as/regjisor Klajdi Malellari.
“Babai” pjesë e trilogjisë dramatike të autorit Florian Zeller
“Babai” i autorit francez Florian Zeller është një dramë tronditëse mbi fragmentimin e kujtesës dhe humbjen e orientimit. Andre, një burrë në moshë, përballet me rrëshqitjen graduale të realitetit, ndërsa vajza e tij, Ana, përpiqet ta mbajë të lidhur me botën. Në një hapësirë abstrakte, ku pasqyrat shtrembërojnë dhe dritat e ftohta copëtojnë kohën, shfaqja zhyt publikun në konfuzionin e brendshëm të protagonistit. Kjo nuk është vetëm histori mbi demencën, por një reflektim prekës mbi dashurinë, humbjen dhe kufijtë e perceptimit njerëzor. “Babai” është pjesë e trilogjisë dramatike të autorit Florian Zeller-it (“Nëna”, “Babai” dhe “Djali”) një cikël që zbërthen me ndjeshmëri marrëdhëniet familjare, fragjilitetin e kujtesës dhe natyrën e paqëndrueshme të realitetit. Në materialin rreth veprës thuhet se kjo tragjikomedi intime na vendos përballë një përvoje universale: plakjes, demencës, lidhjes së brishtë mes babait dhe bijës, dashurisë dhe humbjes që e shoqëron. Florian Zeller ka shkruar drama që janë vënë në skenë në mbarë botën, duke e bërë atë një nga dramaturgët më të njohur bashkëkohorë.
Vepra “Babai” sjell një histori tronditëse në teatër, një nga tekstet më të fuqishme dramatike të kohëve të fundit
