Identiteti kulturor dhe fetar në trojet shqiptare, historianët mblidhen në konferencë shkencore  

Konferenca shkencore me temën “Identitete religjioze në trojet shqiptare nga mesjeta e vonë deri në rënien e Perandorisë Osmane” kishte si qëllim një panorame të plotë dhe shumëdimensionale mbi historinë e religjioneve, mbi institucionet fetare dhe mbi fenomenet e ndryshme të jetës shpirtërore në hapësirat shqiptare, nga mesjeta deri në fillim të shekullit XX. Veprimtaria u mbajt në datën 29 shtator në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga Instituti i Historisë, Departamenti i Mesjetës dhe i Rilindjes, ASHSH, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë. ASH shprehet se një nga boshtet kryesore të konferencës ishte identiteti kulturor dhe fetar, i lexuar përmes simboleve dhe shenjave që mbijetuan në kujtesën popullore.
“Një bllok i rëndësishëm i punimeve shkencore lidhej me strukturat kishtare dhe institucionale. Diskutimet u përqendruan te Ipeshkvia e Drishtit, duke u mbështetur në burime historike dhe në dëshmi arkeologjike, si edhe te organizimi i jetës kishtare sipas statuteve të Kapitullit të Katedrales së qytetit mesjetar të Drishtit. Një hapësirë e veçantë iu kushtua Urdhrit Françeskan, duke ndriçuar veprimtarinë e tij në trojet shqiptare gjatë mesjetës dhe periudhës osmane, si edhe kontributet konkrete në shek. XVII dhe gjysmën e parë të shek. XVIII. Krahas kësaj, u shqyrtuan edhe përpjekjet e Argjipeshkvit të Tivarit, Fran Leonardi, për bashkimin (uniatizmin) me Kishën Ortodokse, të cilat pasqyrojnë dimensionin ekumenik të sfidave kishtare të kohës”, thuhet nga ASH.
Më tej në konferencë kumtesat mbi rolin e ortodoksisë në Kosovë gjatë Mesjetës shtuan një dimension tjetër të rëndësishëm në kuadrin e pluralizmit fetar. Një pjesë e konferencës u ndal mbi arkitekturën dhe kulturën materiale fetare, ku spikati analiza e xhamisë monumentale të Sofi Sinan Pashës në Prizren me arkitekturën dhe dekoracionet e saj, si dhe shqyrtimi i fenomenit të shndërrimit të mesxhideve në xhami gjatë shekujve XVII-XVIII si tregues i procesit të islamizimit. Një vëmendje e veçantë iu kushtua strukturave shoqërore dhe elitave fetare. Së fundi, konferenca i kushtoi hapësirë periudhës së re moderne, duke shqyrtuar lëvizjen protestante në vilajetet shqiptare nga fundi i shekullit XIX deri në fillim të shekullit XX.