Shkolla e Magjistraturës revolucionon në formimin e gjyqtarëve, ja si do të trajnohen ata nga tani e tutje

Shkolla e Magjistraturës njofton se ka miratuar disa ndryshime të rëndësishme në programin e formimit për kandidatët për gjyqtarë, prokurorë, avokatë shteti, këshilltarë dhe ndihmës ligjorë.
Sipas njoftimit të kësaj shkolle, këto ndryshime janë në përputhje me rekomandimet e Komisionit Europian dhe përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian.
“Programi i ri është më shumë i orientuar drejt praktikës, i kushton vëmendje të posaçme jo vetëm aftësive ligjore, por edhe aftësive jo-ligjore, integritetit dhe etikës”, thuhet në njoftimin e postuar në rrjete sociale të Shkollës së Magjistraturës.
Në thelb të qasjes së re qëndron mentorimi i drejtpërdrejtë i kandidatëve, përgatitja hap pas hapi e akteve, si dhe nxitja e bashkëveprimit, analizës dhe debatit profesional.
“Aftësitë dhe kompetencat që synohen janë pjesë e përditshmërisë së profesionit. Në përfundim të programit të formimit fillestar, kandidatët për gjyqtar, prokuror, avokat shteti dhe ndihmës ligjor do të jenë gati për t’i shërbyer sistemit të drejtësisë”, thuhet në njoftim.