Gara për bashkinë e Tiranës, Boçi zbulon kriteret që duhet të plotësojë kandidati i opozitës

Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi, zbuloi kriteret që duhet të ketë kandidati opozitar për garën në Bashkinë e Tiranës.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, Boçi tha se kandidati duhet të jetë një person që e do Tiranën, të jetë opozitar, teksa shtoi se duhet të jetë edhe një kandidat që të ketë fibrën e duhur politike, por sidomos edhe fibrën e duhur qytetare.
Luçiano Boçi u shpreh se në PD ka shumë kandidatë, duke nënvizuar se disa vetëofrohen, ndërsa disa të tjerë edhe u kërkohet të kandidojnë.
INTERVISTA E PLOTË:
Si e shikoni ju përballjen e radhës elektorale që do të kemi në 6 bashki?
Boçi: Është një përplasje që mundohet të nxitohet, të kapë ritmet euforike të një rezultati që dihet që nuk është një rezultat i drejtë, rezultati i grabitur i 11 majit. Për të ruajtur atë inercinë dhe për të ruajtur pompozitetin e një fitoreje që nuk është e tillë, por që interpretohet e tillë.
Si shpjegohet që Partia Demokratike ende nuk e ka një emër për garën në Tiranë?
Boçi: Në PD ka figura me influencë publike dhe politike, pavarësisht vendeve që ato zënë në hierarkinë drejtuese të Partisë Demokratike. Kjo tregon që ka një konkurrencë. Ka shumë kandidatë. Ka edhe kandidatë që vetëofrohen, ka edhe kandidatë që u kërkohet të jenë pjesë e kandidimit. Ka një negocim me pjesën tjetër të opozitës, me qëllim që të kemi një produkt serioz, një kandidat që përfaqëson PD, por edhe qytetarët e Tiranës. Janë disa procese që tregojnë që ka seriozitet në zgjedhjen e një kandidati që ai të paraqitet me ato parametra që e kërkon publiku.
PD bëri një betejë shumë të fortë për ta rrëzuar Veliajn. Duket sikur tani e keni marrë më shtruar, kur ju këtë keni pritur apo jo, që ajo zyrë të lirohet dhe ju të nxitoni për të konkurruar?
Boçi: Shpalljen e zgjedhjeve nuk e ka në dorë as Edi Rama, as opozita. Është kushtetuta dhe vendimet ligjore që përcaktojnë kohën kur janë zgjedhjet. Jemi duke ndjekur me vëmendje çdo hap ligjor dhe në momentin më të duhur do të kemi kandidatin tonë. Nuk mund të themi pse është përpara PS se u kujtua Rama në asamble të paraqesë një kandidat.
A është pjesë e diskutimeve tuaja ideja që është hedhur edhe nga forcat e tjera të opozitës, që kandidati mund të jetë edhe një përfaqësues që nuk vjen nga politika, por një njeri që të bashkojë gjithë frymën antiqeveri? E keni këtë ide në diskutim?
Boçi: Të gjitha opsionet janë në tavolinë. Këto pika do të bashkohen me profilin që do të jetë përfaqësues. Së pari, të jetë një person që e do Tiranën. Së dyti, të jetë opozitar dhe së treti, të jetë një kandidat që të ketë fibrën e duhur politike, por sidomos edhe fibrën e duhur qytetare.
/vizionplus.tv