Moska akuza Ukrainës: Po provokon Poloninë me dronë për të fajësuar Rusinë

Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Rusisë ( SVR) ka akuzuar shërbimet e inteligjencës ukrainase për përgatitjen e një “provokimi sensacional” në Poloni, që përfshin një sulm komando dhe sulme të mundshme me dronë ndaj “infrastrukturës kritike”, duke synuar të fajësojë Moskën dhe Bjellorusinë dhe kështu të përpiqet ta fusë NATO-n në luftë me Rusinë.
Në një deklaratë të cituar nga TASS, SVR deklaron se veprimet pritet të kryhen nga komando, përfshirë luftëtarë nga grupe të armatosura ruse dhe bjelloruse të lidhura me Kievin: Legjioni i Lirisë i Rusisë dhe Regjimenti K.
Gjithashtu Volodymyr Zelenksy ka bërë dhe një postim në ‘X’ ku shkruan se një grup special është nisur me mision në Danimarkë për të shkëmbyer përvojën ukrainase në luftimin e dronëve.
“Grupi ynë i specialistëve ka nisur një mision në Danimarkë për të ndarë përvojën ukrainase në luftimin e dronëve. Djemtë tanë kanë mbërritur për të marrë pjesë në ushtrime të përbashkëta me partnerët. Ata mund të formojnë bazën e një kundërveprimi të ri ndaj dronëve rusë dhe llojeve të tjera”, njoftoi Volodymyr Zelensky në X.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg është shprehur se “Vladimir Putin po nxjerr tanket nga muzetë dhe po i dërgon në vijën e frontit” për të përshkruar situatën e ushtrisë ruse gjatë Forumit të Sigurisë në Varshavë.
“Forcat e tij ushtarake janë shkatërruar plotësisht, njësitë e vijës së frontit janë masakruar që në vitin e parë të luftës”, shtoi ai, duke theksuar se “problemi është i Putinit, jo i Perëndimit. Aleanca e NATO-s është shumë e bashkuar dhe unë kam besim të madh në të”.
Lidhur me të ardhmen e konfliktit, i dërguari i SHBA-së përsëriti: “Rusia nuk po e fiton këtë luftë dhe ukrainasit kanë luftuar jashtëzakonisht mirë. Ky është një konflikt që duhet të përfundojë”.
Duke parë përpara negociatat e mundshme të paqes, Kellogg pranoi “një nivel të caktuar frustrimi”, por shprehu besimin e tij: “Mendoj se Putini, në zemrën e tij, e di se nuk mund të fitojë. Unë jam një optimist i përjetshëm: duhet të shpresojmë dhe ta bëjmë të kuptojë se nuk mund të fitojë në planin afatgjatë”.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *