Transformimi i investimeve të huaja po riformëson ekonominë globale, përtej tarifave të Trump

Nga Jayati Ghosh*Edhe pse politikat proteksioniste tregtare të Presidentit të SHBA-së Donald Trump dominojnë titujt kryesorë të lajmeve, ato nuk janë aspak forcat e vetme që po formësojnë prodhimin global. Modele të reja investimesh kanë filluar të riformësojnë peizazhin ekonomik global shumë përpara tarifave të vendosura nga Trump.Kjo vihet re qartë në rrjedhat e investimeve të huaja direkte (IHD). Sipas raportit më të fundit mbi Investimet Botërore nga Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim (UNCTAD), hyrjet e IHD në Europë, Amerikën e Jugut dhe pjesën më të madhe të Azisë ranë në vitin 2024. Në kontrast, flukset e IHD-ve në Afrikë u rritën me 75%, duke arritur në 97 miliardë dollarë, ndërsa ato në Azinë Juglindore u rritën me 10%, në 225 miliardë dollarë.Pas këtyre trendeve qëndron një ristrukturim më i gjerë i zinxhirëve të furnizimit të kompanive shumëkombëshe, të cilat po zhvendosen gradualisht drejt Azisë Juglindore, Europës Lindore dhe Amerikës Qendrore. Si pasojë, edhe modelet e IHD-ve po ndryshojnë: ndërsa Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Kina mbeten investitorët më të mëdhenj në dalje, Lindja e Mesme ka dalë në pah si një burim i rëndësishëm i IHD.Për shkak të të ardhurave të bollshme nga nafta, vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) – Bahreini, Kuvajti, Omani, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – investuan rreth 113 miliardë dollarë në Afrikë gjatë viteve 2022 dhe 2023, duke zgjeruar ndjeshëm praninë e tyre ekonomike në kontinent. Shumica e këtij kapitali është përqendruar në projekte të logjistikës dhe infrastrukturës, si porte, aeroporte dhe rrjete transporti, si dhe në sektorin e naftës dhe gazit.Megjithatë, qendra e gravitetit po zhvendoset me shpejtësi drejt Kinës, veçanërisht kur bëhet fjalë për investimet e gjelbra. Një raport i ri nga Net Zero Industrial Policy Lab vë në pah përmasat e IHD-ve kineze në drejtim të energjisë së pastër, duke treguar se si shtytja e Kinës drejt energjive të pastra po rrit ndikimin e saj ekonomik.Duke u mbështetur në një bazë të dhënash me 461 projekte të prodhimit të teknologjive të gjelbra të mbështetura nga Kina, të shpallura midis vitit 2011 dhe mesit të vitit 2025, raporti tregon se kompanitë kineze kanë investuar mbi 220 miliardë dollarë në 387 projekte në 54 vende që nga viti 2022. Këto përfshijnë impiante për energjinë diellore dhe atë me erë, fabrika të mëdha për bateri, automjete me energji të re, infrastrukturë karikimi, madje edhe startup-e hidrogjeni në faza të hershme.Sipas raportit, këto investime kineze udhëhiqen kryesisht nga kërkimi për akses në tregje dhe furnizime të qëndrueshme të lëndëve të para. Ndërsa vendet e ASEAN-it mbeten destinacioni kryesor për këto projekte, pjesa e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut u rrit ndjeshëm, duke kaluar në mbi 20% në vitin 2024; Amerika Latine dhe Azia Qendrore gjithashtu tërhoqën një pjesë të konsiderueshme të IHD-ve kineze.Është me rëndësi të theksohet se kjo valë e re e IHD-ve kineze nuk udhëhiqet nga ndërmarrjet shtetërore, por nga kompani private që nuk janë mbështetur as në kredi të mëdha nga bankat shtetërore, e as në subvencione nga qeveritë pritëse. Siç thekson njëri nga autorët e studimit, “Zyrtarët e qeverisë kineze vetë mund të mos jenë në dijeni të plotë për përmasat dhe totalin e agreguar të këtyre investimeve të sektorit privat në teknologjitë e gjelbra jashtë vendit.”Marrë së bashku, këto zhvillime sinjalizojnë një fazë të re në zgjerimin ekonomik global të Kinës. Ndryshe nga Nisma e “Një Brez Një Rrugë” e Presidentit Xi Jinping, e udhëhequr nga shteti, këto investime të fokusuara në përfitim pasqyrojnë si presione nga ana e ofertës, si tepricat industriale brenda Kinës, ashtu edhe dinamika nga ana e kërkesës, me vendet pritëse që gjithnjë e më shumë e lidhin aksesin në tregje me përpunimin me vlerë të shtuar dhe jo thjesht me nxjerrjen e burimeve natyrore.Duke qenë se ndikimi i plotë i këtyre projekteve do të bëhet i qartë vetëm pas disa vitesh, shumë vëzhgues, veçanërisht në ekonomitë e përparuara, mund të kapen në befasi. Ndërsa eksportet dhe investimet nxjerrëse kineze janë parë shpesh si kërcënim për industrializimin e vendeve pritëse, vala aktuale e IHD-ve në prodhim ka potencialin të forcojë prodhimin vendas, të krijojë vende pune dhe të nxisë qëllime më të gjera zhvillimore. Edhe transferimet e kufizuara të teknologjisë mund të jenë transformuese, duke përshpejtuar tranzicionin drejt energjive të pastra dhe duke riformësuar tregtinë globale.Kina nuk vepron për bamirësi. IHD-të, qofshin nga Perëndimi, Kina apo Gjiri Persik, udhëhiqen nga përfitimi dhe ndonjëherë motivohen nga kërkimi i fitimeve të pamerituara. Ato mund të sjellin përfitime të konsiderueshme, por gjithashtu mbartin rreziqe: degradim mjedisor, zhvendosje, shfrytëzim të punës, humbje në këmbimet valutore dhe tarifa teknike apo honorare të kushtueshme. Dhe kur lidhjet dhe përhapjet e pritura nuk materializohen, përfitimet mbeten shumë të lokalizuara.Si gjithmonë, shumë varet nga politikat që ndjekin vendet pritëse. Në mënyrë inkurajuese, disa ekonomi në zhvillim të orientuara drejt eksportit duket se kanë mësuar nga përvoja e Indonezisë, ku qeveria detyroi kompanitë kineze të gjeneronin më shumë prodhim me vlerë të shtuar brenda vendit (veçanërisht në përpunimin e nikelit) si kusht për investim. Të frymëzuara nga kjo, disa qeveri po përpiqen të vendosin kërkesa të ngjashme për investitorët e huaj, me më shumë theks në prodhimin lokal dhe transferimin e njohurive. Për shembull, në Brazil, kompania e elektronikës për konsum Lenovo ka krijuar një departament të përbashkët kërkimi dhe zhvillimi për të përmirësuar kapacitetet e saj vendore në prodhimin inteligjent dixhital.Megjithatë, edhe suksesi relativ i Indonezisë nuk është përkthyer në rritje reale të pagave dhe përmirësim të kushteve të punës. Mirëpritja e IHD-ve nuk mjafton; vendet pritëse kanë nevojë për rregullim më të fortë të brendshëm, ndërhyrje publike dhe bashkëpunim rajonal për të siguruar që përfitimet të shpërndahen gjerësisht.Një kërkesë e ngjashme ishte në zemër të Konferencës së Bandungut të vitit 1955, e organizuar nga Indonezia, e cila bëri thirrje për një rend ekonomik global më të drejtë dhe për bashkëpunim më të madh midis vendeve aziatike dhe afrikane. Është veçanërisht domethënëse që kjo rezolutë vazhdon të citohet ende në faqet zyrtare të qeverisë kineze.Megjithatë, përmbushja e thirrjes së Konferencës së Bandungut për një rend ndërkombëtar ekonomik më të drejtë kërkon më shumë sesa investime të drejtuara nga përfitimi. Ajo kërkon qeveri të gatshme të bashkëpunojnë për të zhvilluar tregje që u shërbejnë shoqërive, dhe jo vetëm aksionerëve.* Jayati Ghosh, Profesore e Ekonomisë në Universitetin e Massachusetts Amherst, është anëtare e Komisionit për Ekonomi Transformuese të Romës dhe bashkëkryetare e Komisionit të Pavarur për Reformën e Tatimeve Ndërkombëtare për Korporatat.Copyright: Project Syndicate, 2025www.project-syndicate.org Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.