Ndizen “motorët” e 11 majit, demokrati paralajmëron përplasje me kundërshtarët

Vetëm një muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe “ethet” e 11 majit kanë nisur të ndihen tek partitë e mëdha, e të vogla gjithashtu.
Secila parti ka shpalosur programin dhe nesër PD e pasnesër PS çelin zyrtarisht fushatën.
Por, akuzat dhe deklaratat e forta nuk kanë munguar për kundërshtarët e secilës forcë politike.

Kandidati demokrat, Besart Xhaferri u shpreh në studion e Quo Vadis në Vizion Plus se Partia Socialiste shfrytëzon mjedise për të blerë vota.
Ai paralajmëroi gjithashtu se do të ndërhyjë në këto zyra edhe fizikisht, çka mund të sjellë edhe përplasje.
Pjesë nga biseda:
Xhaferri: Në atë zyrë blihet vota. Ne do çojmë kamerat aty. Vota shitet për qindra euro, por problemi është se nuk po e blejnë dot. Kushdo që është i përfshirë aty do të kallëzohet për krim elektoral. Çdo gjë do të faktohet.
Borakaj: Ju keni informacion nga qytetarët?
Xhaferri: Po. SPAK do të tregojë sa seriozisht do ta parandalojë këtë krim. Detyra ime është ta çoj deri në fund këtë çështje.
Kikia: Duhet të identifikohet.
Xhaferri: Këtë strategji ka zgjedhur PS.
Kikia: Nëse mbyllen zgjedhjet dhe pas një viti konfirmohet që aty ka pasur krim elektoral, kjo nuk ka më vlerë.
Xhaferri: E kuptoj që kjo mund të dalë pas një viti. Edhe fizikisht do të futemi në ato zyra, në orarin kur dimë që kemi informacion të saktë.
Minga: Do ta çosh në përplasje?
Xhaferri: Po, punë e madhe. Dera është e hapur.
Minga: Kjo fushatë ka qenë e qetë, mos paralajmëro që do ketë përplasje.
Xhaferri: Me këmbët e mia, jo me shkopinj e gjëra. Do hyjmë, do trokasim në derë. Do i kapim në flagrancë.
/vizionplus.tv