Pabarazia e pasurisë është e dukshme në mbarë botën, përfshirë edhe Europën. Që nga fillimi i vitit 2025, 5% më të pasur të popullsisë në Eurozonë kontrollonin 45% të pasurisë neto të familjeve, ndërsa 10% më të pasur mbanin 57.4%, sipas Bankës Qendrore Europiane (BQE).Ky përqendrim i pasurisë mban të ndezur debatin mbi taksat mbi pasurinë në shumë vende. Së fundmi, miliarderi francez Bernard Arnault kundërshtoi ashpër një taksë të propozuar prej 2% mbi qytetarët me pasuri mbi 100 milionë euro, duke e quajtur atë “një ofensivë vdekjeprurëse për ekonominë tonë”.Sipas Tax Foundation, deri në vitin 2025, tatime mbi pasurinë neto të individëve ekzistojnë vetëm në Spanjë, Norvegji dhe Zvicër. Normat tatimore dhe pragjet e pasurisë së tatueshme ndryshojnë nga një vend në tjetrin.Përveç tyre, Franca, Italia, Holanda dhe Belgjika zbatojnë tatime mbi pasurinë për klasa të caktuara asetesh, por jo mbi pasurinë neto të individëve në tërësi.Spanja: Tatimi mbi pasurinë neto në Spanjë është progresiv, duke filluar nga 0.16% deri në 3.5% mbi pasurinë që tejkalon 700,000 euro. Rezidentët tatohen mbi të gjithë asetet në botë, ndërsa jorezidentët vetëm mbi asetet që zotërojnë në Spanjë.Në vitin 2022, qeveria qendrore prezantoi edhe “tatimin e solidaritetit mbi pasurinë”, me norma nga 1.7% deri në 3.5% për individët me asete neto mbi 3 milionë euro. Fillimisht i menduar si masë e përkohshme për krizën e kostos së jetesës, ai tashmë është bërë i përhershëm dhe funksionon si plotësues i taksës mbi pasurinë.Norvegjia: Norvegjia zbaton një tatim mbi pasurinë neto prej 1% mbi pasurinë individuale që tejkalon 1.7 milionë NOK (145,425 euro) dhe deri në 20 milionë NOK (1.71 milionë euro). Për pasuri mbi këtë nivel, norma rritet në 1.1%. Nga kjo, 0.7% shkon për bashkitë dhe 0.3% për qeverinë qendrore.Zvicra: Sipas raportit të OECD “Roli dhe dizajni i tatimeve mbi pasurinë neto”, Zvicra ka pragje përjashtuese relativisht të ulëta, të cilat ndryshojnë sipas kantoneve. Për këtë arsye, tatimi nuk prek vetëm familjet më të pasura, por edhe një pjesë të gjerë të shtresës së mesme.Në vitin 2025, sipas PëC, në Zyrih tatimi fillon nga 80,000 CHF (85,560 euro) për tatimpaguesit beqarë, me një normë fillestare 0.05%. Për çiftet dhe prindërit e vetëm me fëmijë të mitur, pragu rritet në 159,000 CHF (170,090 euro). Norma rritet gradualisht dhe arrin 0.3% mbi pasurinë që tejkalon 3,262,000 CHF (3.49 milionë euro) për beqarët dhe 3,342,000 CHF (3.58 milionë euro) për çiftet dhe prindërit e vetëm.Tatime mbi pasurinë për asete të përzgjedhuraFranca: Rezidentët tatimorë në Francë i nënshtrohen një takse mbi pasurinë e patundshme nëse pasuria neto e tyre në pasuri të paluajtshme në mbarë botën ka vlerë 1.3 milionë euro ose më shumë. Jorezidentët janë gjithashtu të detyruar nëse vlera e pasurive të tyre të paluajtshme në Francë arrin ose e tejkalon këtë prag. Në varësi të vlerës neto të aseteve, norma mund të arrijë deri në 1.5%.Italia, Belgjika dhe Holanda zbatojnë gjithashtu disa tatime mbi pasurinë, kryesisht mbi asetet financiare.Të ardhurat nga tatimet mbi pasurinë në EuropëShuma e të ardhurave të mbledhura nga këto taksa, si dhe pesha e tyre në të ardhurat totale tatimore, reflekton rëndësinë dhe efektivitetin e tyre.Sipas OECD, Zvicra mblodhi 9.5 miliardë euro nga pasuria individuale në vitin 2023, që përfaqësonte 4.3% të të ardhurave totale tatimore. Në Spanjë, shuma ishte 3.1 miliardë euro, ose 0.6% e totalit. Norvegjia gjeneroi 2.7 miliardë euro, që përbënin 1.5% të të ardhurave të saj tatimore, ndërsa Franca grumbulloi 2.3 miliardë euro, ose vetëm 0.2%.Në raport me PBB-në, pesha e tyre është relativisht e vogël. Në vitin 2023, të ardhurat nga tatimet individuale mbi pasurinë neto varionin nga 0.21% e PBB-së në Spanjë deri në 1.16% në Zvicër.Cilat vende e kanë hequr taksën mbi pasurinë?“Megjithëse diskutimet për vendosjen e tatimeve mbi pasurinë po shtohen, sidomos teksa qeveritë kërkojnë të synojnë të pasurit dhe të rrisin të ardhurat, prirja e përgjithshme ka qenë drejt heqjes së tyre,” tha Cristina Enache, ekonomiste në Tax Foundation.Në tre dekadat e fundit, disa vende e kanë shfuqizuar taksën mbi pasurinë individuale. Numri i vendeve anëtare të OECD që e zbatonin ra nga 12 në vitin 1990 në vetëm 4 në vitin 2017. Mes tyre janë shtete europiane: Austria (1994), Danimarka (1997), Gjermania (1997), Holanda (2001), Finlanda, Islanda dhe Luksemburgu (të gjitha në 2006), si dhe Suedia (2007).Pse u shfuqizuan tatimet mbi pasurinë?Ka disa arsye për të justifikuar shfuqizimin e tyre. Argumentet kryesore lidhen me kostot e efikasitetit dhe rrezikun e largimit të kapitalit, sipas raportit të OECD. Ky raport gjeti se, për shkak të rritjes së lëvizshmërisë së kapitalit dhe qasjes së individëve të pasur në parajsa fiskale, “tatimet mbi pasurinë neto shpesh dështuan të arrijnë objektivat e tyre rishpërndarës”.Rreziku i largimit të kapitalitCristina Enache vuri në dukje se pritshmëritë e larta shpesh përplasen me realitetin e mënyrës si reagojnë tatimpaguesit, teksa më shumë vende po diskutojnë tatime mbi pasurinë për të synuar të pasurit dhe për të gjeneruar të ardhura shtesë.“Kur një taksë është e përqendruar fuqimisht mbi disa individë shumë të pasur dhe shumë të lëvizshëm, edhe një rritje e vogël e normës mund të çojë në largim kapitali dhe zhvendosje të individëve të pasur drejt juridiksioneve fqinje.”Enache shtoi gjithashtu se tatimpaguesit që largohen nga vendi nuk marrin vetëm të ardhurat nga tatimi mbi pasurinë, por edhe ato nga tatimi mbi të ardhurat dhe konsumin, të cilat janë burimet më të rëndësishme të të ardhurave për vendet europiane. / EuronewsKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Tatimi mbi pasurinë, cilat vende europiane e aplikojnë dhe sa të ardhura sjell?
