Mesataret e humbjeve ekonomike të lidhura me motin, përfshirë përmbytjet e forta, janë rritur ndjeshëm, sipas një agjencie europiane. Moti ekstrem dhe ndryshimet klimatike kanë shkaktuar më shumë dëme financiare në Europë gjatë viteve 2020–2023 sesa në gjithë dekadën pararendëse, sipas një studimi të rëndësishëm që nënvizon ndikimin e degradimit në rritje të ekosistemeve dhe mungesës së ujit mbi bizneset.Mesatarja e humbjeve ekonomike vjetore në BE, të lidhura me valë të nxehta gjithnjë e më të forta, përmbytje dhe fenomene të tjera ekstreme të motit, arriti në 44.5 miliardë euro në periudhën 2020–2023, ose dy herë e gjysmë më shumë se mesatarja e viteve 2010–2019, tha Agjencia Europiane e Mjedisit (EEA) në një raport të publikuar të hënën.Sipas raportit, pothuajse tre të katërtat e kompanive prodhuese dhe të shërbimeve në Eurozonë janë “shumë të varura” nga të paktën një ekosistem natyror. Gjithashtu, 75% e kredive bankare u jepen bizneseve që mbështeten te burimet natyrore për aktivitetin e tyre, ndërsa gati 15% e aseteve industriale ndodhen në zona të rrezikuara nga përmbytjet.“Natyra po përballet realisht me degradim, shfrytëzim të tepërt dhe humbje të biodiversitetit dhe, njëkohësisht, ne shohim përshpejtimin e ndryshimeve klimatike,” tha për Financial Times Leena Ylä-Mononen, drejtoreshë ekzekutive e EEA-së. “Kjo po paraqet rreziqe të mëdha për konkurrueshmërinë e Europës, mirëqenien afatgjatë, sigurinë dhe cilësinë e jetës.”Europa mbetet kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me temperaturat më të larta që po sjellin modele moti shumë më të paqëndrueshme dhe një rritje të zjarreve në pyje dhe përmbytjeve.Sondazhi i EEA-së vjen në një kohë kur qeveritë e BE-së po debatojnë për një objektiv ligjërisht të detyrueshëm për të reduktuar emetimet e gazeve serrë me 90% deri në vitin 2040, krahasuar me nivelet e vitit 1990. Vende si Franca dhe Polonia kanë kërkuar që liderët ta diskutojnë këtë objektiv në tetor, duke argumentuar se ritmi i tranzicionit do të ndikojë në ekonomitë e tyre tashmë të brishta.Për të lehtësuar barrën, Komisioni Europian ka propozuar që rreth 3% e uljes së emetimeve të realizohet përmes blerjes së kredive ndërkombëtare të karbonit, pavarësisht këshillës kundërshtuese të bordit shkencor këshillues të BE-së.Këtë muaj, BE-ja humbi afatin për të dorëzuar pranë OKB-së një objektiv të reduktimit të emetimeve për vitin 2035, përpara konferencës klimatike që këtë vit do të mbahet në Brazil. Në vend të kësaj, ajo dërgoi një letër premtimi ku thuhej se objektivi do të ishte mes 66.25% dhe 72.5%. Kjo ka nxitur aktivistët të argumentojnë se BE-ja po humbet rolin e saj si lidere ndërkombëtare në veprimet për klimën.“Kjo nuk jep sinjalin e duhur,” u shpreh Ylä-Mononen.Shefja e agjencisë mjedisore theksoi se objektivat klimatikë të BE-së nuk janë të rrezikuara vetëm nga faktorët politikë. “Gropat natyrore të karbonit” të BE-së — si pyjet dhe kënetat — janë tkurrur me rreth 30% në dekadën e fundit, duke bërë që të mos thithin më aq karbon sa më parë, thekson raporti.Sipas EEA-së, stresi ujor — kur kërkesa tejkalon furnizimin — po prek rreth një të tretën e popullsisë së Europës. Raporti shtoi se bujqësia është “përgjegjëse për presionin më të madh si mbi ujërat sipërfaqësore, ashtu edhe mbi ujërat nëntokësore.”/ FTKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Fatura e Europës nga dëmet e motit ekstrem është më shumë se dyfishuar këtë dekadë
