Depozitat me afat në Lekë shënuan rritjen më lartë të këtij viti në muajin korrik.Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, rritja vjetore e depozitave me afat në Lekë arriti në 4.8%. Kjo është njëkohësisht edhe rritja më e lartë që prej tetorit të vitit të kaluar.Depozitat me afat në Lekë kishin pësuar një cikël rënës prej afërsisht një dekade, duke filluar nga viti 2014, që u ndikua sidomos nga ulja graduale e normave të interesit.Kursimet në banka filluan të dominoheshin kryesisht nga llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat. As ndryshimi i kursit të politikës monetare në vitin 2022 dhe rritja e shpejtë e normës bazë të interesit nuk mjaftoi për të sjellë një ringritje të shpejtë të depozitave me afat, megjithëse ritmet e rritjes u ngadalësuan.Vetëm gjatë vitit 2024, depozitat me afat iu kthyen rritjes, të nxitura sidomos nga përmirësimi i normave të interesit të depozitave, që shtoi stimujt e publikut për të vendosur kursimet në depozita me afat.Pavarësisht se Banka e Shqipërisë vitin e kaluar rifilloi uljen e normës bazë të interesit, ajo aktualisht është në nivelin 2.5 % dhe ngelet në nivele ndjeshëm më të larta krahasuar me minimumin historik prej 0.5%, që u arrit në periudhën e pandemisë dhe qëndroi në fuqi deri në goditjen inflacioniste të vitit 2022.Sipas statistikave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në Lekë paraqitet në rënie. Në muajin korrik, ajo shënoi nivelin 1.58%, nga 1.99% që kishte qenë një vit më parë.Rënia e normës së interesit për depozitat e reja ende nuk ka sjellë ulje të normës mesatare të interesit për të depozitat gjendje, që është në nivele të përafërta me vitin e kaluar.Norma mesatare e interesit për depozitat me afat në Lekë të individëve gjatë gjithë 7-mujorit të parë të këtij viti ka qëndruar në nivelin 2.42%, nga 2.41% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.Megjithatë, duhet theksuar se brenda sektorit bankar ka një konkurrencë në rritje për depozitat e publikut. Kjo konkurrencë ka tendencën të bëhet më e theksuar gjatë muajve të verës, kur prurjet e depozitave janë më të mëdha, për shkak të sezonit turistik.Kjo kërkesë vjen sidomos prej bankave që në vitet e fundit po rriten me ritme më të shpejta dhe që kanë nevojë për të shtuar fondet që mbështesin rritjen e huadhënies.Edhe këtë vit, disa prej bankave kanë dalë me oferta depozitash që në nivelet e tyre maksimale janë ndjeshëm më të larta se ato mesatare të raportuara nga Banka e Shqipërisë. Në këtë kuptim, për depozitat tregu ofron edhe kthime më të larta se ato që tregojnë shifrat mesatare zyrtare. Kjo duket se ka mbështetur rritjen e depozitave me afat në sektorin bankar. / E.Shehu Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Korrik, depozitat me afat në Lekë shënuan rritjen më të lartë për këtë vit
