Përgjatë 9 muajve të këtij viti, policia ka evidentuar një numër të shtuar të incidenteve që përfshijnë mjetet elektrike, si përplasje me këmbësorë në trotuare, por edhe me automjete në rrugët kryesore.Shifrat tregojnë për rritje të numrit të përplasjeve, me persona të plagosur dhe dëme materiale më të shtuara.
Mjetet elektrike, në të shumtën e rasteve, përdoren në mënyrë të pakontrolluar, pa asnjë pajisje mbrojtëse, nga të mitur dhe në vende që nuk janë të përshtatura për këtë lloj lëvizjeje. Shtresa më problematike e përdorimit të këtyre mjeteve janë nga 14 deri në 19 vjeç, të cilët janë përfshirë edhe në ngjarje.Specialisti i policisë rrugore, Elmaz Veli, tregon për “Klan News” shkeljet që evidentohen më shumë në rrugë.
“Problem është edukata rrugore që këta përdorues rruge nuk e kanë, pasi qarkullojnë në kundërvajtje me karrexhatën. Qarkullojnë pa respektuar shenjat e semaforit. Qarkullojnë nëpër trotuare, në vende që nuk u lejohet kalimi dhe bëhen rrezik si për veten e tyre dhe për përdoruesit e tjerë të rrugës”, tha ai.Specialisti i rrugores tregon gjithashtu nëse përdoruesit duhet të pajisen edhe me leje drejtimi për këto kategori.
“Për patinat elektrike, me motor elektrik deri në 0.25 kilovat dhe me shpejtësi maksimale deri në 25 kilometra në orë, nuk nevojitet leje drejtimi, nuk ka kufizim moshe dhe nuk regjistrohen, nuk marrin tagra. Kurse për çiklomotorët që janë me fuqi mbi 0.25 kilovat dhe deri në 0.45 kilovat dhe me shpejtësi maksimale deri në 45 kilometra në orë dhe janë mbi 16 vjeç, duhet të pajisen me leje drejtimi të kategorisë AM”, theksoi ai.Gjatë vitit të kaluar, për drejtuesit e këtyre mjeteve janë vendosur rreth 192 masa, ndërsa gjatë periudhës së këtij viti, këto masa janë ashpërsuar dhe janë rreth 1800 masa administrative të vendosura për shkelje të ndryshme.
Monopatinat rrezik real për sigurinë rrugore, Policia: Në të gjitha aksidentet rezultojnë drejtues të mitur
