Javën e kaluar u votua përbërja e Komisioneve Parlamentare, sot mblidhet sërish Kuvendi! Ja rendi i ditës

Kuvendi do të mblidhet sot në orën 13:00 në një tjetër seancë plenare. Në rend dite do të jetë miratimi i procesverbalit të seancës së kaluar, ku u votua përbërja e 11 Komisioneve Parlamentare.
“Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 24.9.2025.
2. Njoftime.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Në sallë pritet të jenë edhe Gazment Bardhi dhe Fidel Kreka, të cilët u përjashtuan për 10 ditë nga seancat për shkak të kaosit të krijuar më 18 shtator.
Në seancën e 24 shtatorit, opozita dhe maxhoranca miratuan me 94 vota pro kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të përhershme parlamentare. Kështu i dhanë fund ngërçit të krijuar nga opozita, e cila kundërshtonte ndarjen e re 7 (maxhoranca) me 4 (opozita) të komisioneve.
Deputetët e opozitës kërkuan gjithashtu që të ripërsëritej seanca që zgjati vetëm 25 minuta, ku u votua qeveria e re dhe programi qeverisës për 4 vitet e ardhshme.