Incidenti në “La Traviata”/Tenori nuk realizon rolin sipas parashikimit,Eva Golemi:Nuk më kishte ndodhur kurrë më parë

Nga Julia Vrapi
Opera “La Traviata” e autorit Giuseppe Verdi në mbrëmjen e parë të saj në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit përfundoi me një incident në skenë. Një episod i papritur ndodhi mbrëmjen e së premtes, ku sopranoja e njohur Eva Golemi u rrëzua në skenë, pasi tenori Mario Rojas nuk arriti ta realizojë sipas parashikimeve rolin e tij. Ngjarja ndodhi në skenën finale të operës kur Eva Golemi në rolin e Violetës duhet të binte në krahët e Alfredos, rol që luhej nga tenori Rojas, por ky i fundit  ndodhej disa metra larg, duke e lënë sopranon të rrëzohet. Tenori u afrua vetëm pasi sopranoja u rrëzua në skenë.
Pas këtij incidenti nga stafi i TKOB u lajmërua ambulanca dhe sopranoja Golemi u dërgua në spital. Nga ekzaminimet, rezultoi se sopranoja nuk ka pësuar dëmtime serioze shëndetësore, ndërsa iu rekomandua nga stafi mjekësor një pushim prej dhjetë ditësh. Sopranoja e njohur Eva Golemi e ka interpretuar këtë rol në skena brenda dhe jashtë vendit, ndërsa e ka cilësuar Violetën një nga rolet e saj më të dashura. Por për këtë incident në skenë me rolin në “La Traviata” sopranoja thotë se kurrë më parë nuk i kishte ndodhur një gjë e tillë. “E kam interpretuar këtë rol mbi 70 herë në skena deri tani.
Kam 25 vite që luaj këtë rol jo vetëm këtu, por në të gjithë botën, një incident i tillë nuk më kishte ndodhur kurrë më parë”, shprehet sopranoja Eva Golemi, ndërsa e cilëson dhe si mungesë profesionalizmi nga tenori Mario Rojas për çfarë ndodhi gjatë operës “La Traviata” në mbrëmjen e parë në skenë. Në katër netët e shfaqjes, me kaste të ndryshme, në operën me produksion të mjeshtrit Hugo de Ana ishte planifikuar që soprano Eva Golemi të ishte në rolin e Violetës edhe këtë mbrëmje në natën e fundit më 29 shtator në TKOB, por pas incidentit ajo pritet që të zëvendësohet me një tjetër soprano në shfaqje. Eva Golemi është një ndër zërat lirikë kryesor që ka Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë. Në karrierën e saj operistike numëron role të rëndësishme brenda vendit, por edhe në skenat evropiane. Për publikun sopranoja u ngjit sërish këtë shtator në skenë në kryeveprën e Verdit.
Shfaqja në vijim
Pas incidentit në operën “La Traviata” reagoi edhe Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. TKOB informon se gjatë natës së parë të operës “La Traviata”, sopranoja e mirënjohur Eva Golemi pati një incident në skenë, në momentet e fundit të shfaqjes. TKOB bën me dije se sopranoja është në proces rikuperimi dhe fatmirësisht gjendja e saj shëndetësore është e qëndrueshme, pa pasoja serioze. TKOB shpreh mirënjohje për publikun, i cili tregoi respekt dhe dashuri për artistët dhe thotë se shfaqjet do të vijojnë sipas programit të parashikuar. Vepra operistike vjen në skenë me regji nga Hugo de Ana dhe dirigjent është Francesco Ommassini. “La Traviata” u shfaq në TKOB në datat 26, 27, 28 dhe vijon dhe këtë mbrëmje 29 shtator. Jeta mondane e Parisit të fundshekullit të 19-të, sallonet aristokrate, dashuria, mllefet dhe intrigat në historinë e Violettës dhe Alfredos, janë në operën “ La Traviata” të Verdit. “La Traviata” është një opera me tre akte nga Giuseppe Verdi (Xhuzepe Verdi) e vendosur në një libret italian nga Francesco Maria Piave, ajo është e bazuar në “La Dame aux Camelias” (1852) shkruar nga Alexandre Dumas.