“Alfabetizime dhe kundrime të reja në albanologji” mbledh studiuesit në tryezë shkencore

Tryeza shkencore “Alfabetizime dhe kundrime të reja në albanologji” solli prezantime të kumtesave të studiuesve, që ishin pjesë e saj. Në ambientet e Bibliotekës së Institutit të Arkeologjisë (ASHSH), Departamenti i Leksikologjisë, Terminologjisë dhe Gjuhësisë së Zbatuar organizoi tryezën shkencore që u hap nga përgjegjësi i departamentit, z. Artur Lama. Në parashtresën e tij me titull “Udhëhapjet e alfabetizimeve të reja si nxitje për më shumë studime bashkëkohore”, Lama argumentoi se alfabetizimet e reja dhe gjuhësia përfaqësojnë një ndërthurje të rëndësishme mes zhvillimeve teknologjike, sociale dhe teorike në mënyrën si kuptojmë, mësojmë dhe përdorim gjuhën sot.
Ndryshe nga alfabetizimi tradicional, që përqendrohet në aftësinë për të lexuar dhe shkruar, alfabetizimet e reja zgjerojnë pikëvështrimin dhe mundësojnë forma të ndryshme komunikimi, si dhe një larushi kompetencash gjuhësore të lidhura me kontekstin digjital, mediatik, vizual dhe kritik. PhD (kandidate) Rafaela Marteta kumtoi me temën “Perspektiva plurale e ligjërimeve: nga gjuha në alfabetizimet e reja”. Prof. dr. Tomorr Plangarica paraqiti kumtesën “Bashkëpunimi mes studiuesve dhe institucioneve shkencore në vendet e Europës Juglindore – premisë për institucionalizimin konjitiv, intelektual dhe social më të shpejtë të dijeve dhe disiplinave shkencore”.
Ndër të tjera Prof. Plangarica theksoi nevojën për krijimin e një departamenti të veçantë në IGJL, të titulluar “Departamenti i Historisë së Gjuhës Shqipe dhe Ballkanistikës”, si një hap strategjik për zhvillimin e studimeve rajonale. Në vijim prof. as. dr. Evalda Paci prezantoi kumtesën “Çështje të njohjes së elementeve përfaqësuese në veprat e letërsisë së vjetër shqipe”, paraqitur në gjuhën frënge në Kongresin XIII të AIESEE-së. Prof. as. dr. Aristotel Spiro kumtoi me temën “Brengat filologjike të motrës së Kostandinit të vdekur në udhëtimin e saj përmes tri gjuhëve -Kënga e Garentinës”. Në vijim prezantuan kumtesat dhe dr. Valbona Sinanaj, akad. prof. dr. Valter Memisha e prof. dr. Artur Lama. Sipas ASH tryeza u mbyll me diskutime dhe propozime për krijimin e njësive të reja shkencore, në kuadër të reformimit dhe perspektivës së Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë për vitet në vijim.