Një skenë e pazakontë ndodhi të shtunën në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, më saktë një incident, me protagonist soprano Eva Golemi. Në rolin e Violetës në “Traviata”-n e famshme të Verdit, ajo u plandos në skenë duke menduar se po binte në krahët e partnerit, sipas skenarit. Por ky i fundit, tenori Mario Rojas, në rolin e Alfredos, nuk iu përgjigj dot në lëvizjen që duhet të bënte, duke çuar në dëmtimin fizik të koleges, për pasojë dhe në spital.
“Kam 25 vite që luaj këtë rol jo vetëm këtu, por në të gjithë botën, një incident i tillë nuk më kishte ndodhur kurrë më parë. Ngjarja mund të kishte qenë më e rëndë nëse do të dëmtoja kokën. Jam ende e tronditur nga ngjarje”, tha sopranoja që e cilësoi mungesë profesionalizmi mangësinë e treguar nga tenori meksikan.
Në një reagim nga TOB, u tha:
“Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor informon publikun e nderuar se gjatë natës së parë të shfaqjes së operës La Traviata, sopranoja e mirënjohur Eva Golemi pati një incident në skenë, në momentet e fundit të shfaqjes.
Falë reagimit të menjëhershëm të stafit artistik dhe administrativ, situata u menaxhua me kujdes dhe profesionalizëm. Znj. Golemi ndodhet aktualisht në proces rikuperimi dhe fatmirësisht gjendja e saj shëndetësore është e qëndrueshme, pa pasoja serioze.
TKOBAP shpreh mirënjohje për publikun, i cili me duartrokitjet dhe mbështetjen e tij tregoi respekt dhe dashuri për artistët tanë.
Shfaqjet tona do të vijojnë sipas programit të parashikuar. I urojmë znj. Eva Golemi shërim të shpejtë dhe rikthim të shëndetshëm e sa më të afërt në skenë”. /tesheshi.com/
