Rusia lëshoi qindra dronë dhe raketa në Kiev dhe pjesë të tjera të Ukrainës herët të dielën, duke vrarë të paktën katër persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.
Ky ishte një nga sulmet më të mëdha ndaj kryeqytetit ukrainas që nga nisja e agresionit rreth 4 vite më parë. Ushtria ukrainase tha se Rusia kishte lëshuar 595 dronë dhe 48 raketa, pjesa më e madhe e të cilave u rrëzuan. Përplasjet në ajër u kapën nga kamerat, ndërsa shtëllunga të mëdha tymi dukeshin edhe në qytet.
Presidenti Volodymyr Zelenskiy tha se sulmi zgjati më shumë se 12 orë dhe shkaktoi dëme të mëdha në një klinikë kardiologjie, fabrika dhe ndërtesa banimi.
Ai përsëriti thirrjet ndaj bashkësisë ndërkombëtare që të veprojë me vendosmëri për të ndërprerë të ardhurat e Rusisë nga energjia, që financojnë pushtimin e saj. Gjatë kohës së sulmit, edhe Polonia fqinje mbylli hapësirën ajrore pranë kufirit dhe ngriti në ajër avionët luftarakë për të qëndruar në gatishmëri derisa rreziku të kalonte.
Sulmet vijnë ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka ndryshuar qëndrimin mbi luftën, duke i dalë në mbështetje Ukrainës, megjithatë deri tani Uashingtoni nuk ka konfirmuar sanksione ndëshkuese ndaj Moskës.
/vizionplus.tv

Leave a Reply