Kujdes depresionin pas lindjes, shumë gra nuk e pranojnë sëmundjen, mjekët: Të flasin me familjen dhe ekspertët

Ardhja në jetë e një fëmije shoqërohet me emocione të forta si gëzim e shpresë, por edhe me përgjegjësi të mëdha. Kjo e fundit, tek shumë gra, shpesh shkakton depresion, i cili sipas ekspertëve të shëndetit mund të shfaqet nga forma më e lehtë deri tek ajo më e rëndë.
“Depresioni post-partum është ajo periudhë pas lindjes në të cilën gruaja fillon dhe shfaq shenjat e depresionit. Është depresioni Baby Blu që zgjat jo më shumë se dy javë. Kemi depresionin e madh pas lindjes që zgjat dhe disa muaj pas lindjes dhe zgjat deri në disa muaj, si dhe janë edhe psikozat më të rënda post-partum të cilat zakonisht shfaqen. Psikozat janë format më të rënda, në të cilat gruaja tërhiqet fare, mbyllet në vetvete, duket sikur flasin për të, shikon figura, deluzione, beson gjëra që nuk janë reale dhe në këto raste ato janë të papërgjegjshme as për të mbajtur fëmijën”, shprehet Prof. Dr. Afërdita Manaj, mjeke gjinekologe.
Shumë gra nuk e pranojnë që vuajnë nga depresioni post-partum, edhe pse simptomat janë të dukshme. Ky refuzim, sipas mjekëve specialistë, mund të çojë deri në tentativa vetëvrasjeje ose vetëdëmtimi, duke rrezikuar edhe jetën e fëmijës.

“Gruaja përjeton gëzim, por edhe trishtim, sepse diçka po ndryshon në jetën e saj. Qajnë pa kuptim, trishtim, pagjumësi, lodhje dhe nuk kujdeset sa duhet për fëmijën e vet. Shpesh këto nëna mund të shkojnë deri në tentativë për vetëvrasje ose vetëlëndim për fëmijët dhe veten. Nuk e pranojnë dhe ndihen si me faj, sikur nuk janë më të mira siç kanë qenë, i kanë inat të tjerët, flasin për to. Shikojnë si të fiksuara, nuk kujdesen për fëmijën, nuk kanë lidhjen psikoaktive me fëmijën, sikur fëmija nuk është i tyre, sikur nuk janë nëna të përsosura që të kujdesen për atë fëmijë.”
Mjekët gjinekologë këshillojnë që nënat e reja të flasin hapur me familjarët, shoqet apo nëna të tjera, të ushqehen mirë, të kërkojnë mbështetje për kujdesin ndaj fëmijës, të shëtisin në ajër të pastër. Por ato mund t’i drejtohen edhe psikologut, duke shmangur kështu periudhën e vështirë post-partum.
/vizionplus.tv