“Paratë e drogës kanë shkatërruar vendin”, Balliu për raportin e DASH: Miliona euro të krimit investohen në ndërtim

Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu ka reaguar pas raportit të DASH për klimën e investimeve në Shqipëri.
Ai u shpreh se Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar skemën mafioze të pastrimit të parave të drogës në Shqipëri. Balliu përmendi hetimet ndërkombëtare si “Dosja Rama-Aruba”, ku, sipas tij, zyrtarë të lartë janë kapur duke planifikuar me kartelet e drogës.
Deputeti i PD akuzon qeverinë se ka lejuar që miliona euro të krimit të investohen në ndërtim, duke shkatërruar tregun dhe rënduar jetën e qytetarëve. Ai kërkon hetim të plotë dhe ndëshkim penal, duke filluar nga vetë kryeministri Edi Rama.
“DASH konfirmon skemën e pastrimit të parave të drogës nën qeverisjen Rama.
Për vite me radhë kemi denoncuar lidhjet e qeverisë me rrjetet e narkotrafikut. Sot këto fakte i konfirmon edhe DASH dhe hetimet ndërkombëtare, si “Dosja Rama – Aruba”, ku zyrtarë të lartë të qeverisë janë ulur me kartelet e drogës për të planifikuar pastrimin e parave në kullat që mbijnë çdo ditë në Tiranë.
Sipas raportit, paratë e drogës kanë shkatërruar ekuilibrat e tregut, kanë rritur çmimet e banesave dhe kanë varfëruar familjet e reja. Ndërsa qytetarët e thjeshtë ndëshkoheshin për “informalitet”, qeveria lejonte që paratë e krimit të hynin lirisht në ndërtim masiv.
Duhet transparencë, hetim i plotë i burimeve të fondeve dhe përgjegjësi penale për çdo zyrtar të përfshirë duke filluar nga vetë Edvin Kristaq Rama”, tha Balliu.