Kandidatura për Tiranën, Noka: Jemi të hapur të negociojmë me të gjithë, përveç Arlind Qorit!

Ndërkohë që në selinë blu po negociohet për përzgjedhjen e kandidatit për zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, deputeti demokrat Flamur Noka ka dalë në një deklaratë për mediat.
Gjatë fjalës së tij, Noka tha se PD është e hapur për të diskutuar me të gjitha partitë opozitare, me përjashtim të partisë “Bashkë” të Arlind Qorit, të cilën ai e cilësoi si “parti të majtë radikale”. Ai shtoi se nuk ka asnjë vijë të kuqe për partitë e qendrës dhe të djathtës, ndërsa theksoi se pjesë e takimeve janë aleatët tradicionalë të PD-së.
“Në rast se do të unifikojmë përballë këtij regjimi të gjithë faktorët, nëse të gjitha partitë opozitare do unifikohen në një kandidat të përbashkët përballë Miss Covidit dhe regjimit të narkosit.Unë të thashë që takimi është me të gjitha partitë parlamentare. Qori është parti e majtë radikale. Ne flasim me partitë e qendrës e të djathtë. Për këto nuk kemi asnjë vijë të kuqe.Sot kemi takimin me dy aleatët tanë, Mediun dhe Dukën. Pra PR dhe PAA. Në ditët në vazhdim do ulemi me PL dhe partitë e tjera parlamentare. Dora jonë do jetë me të gjitha partitë e qendrës dhe të qendrës së djathtë. Ne jemi të hapur si forcë politike për çdo figurë për të diskutuar, që do parashtrohet nga aleatët.Zoti Mediu dhe zoti Duka ranë dakord në parim për profilin e kandidaturës, dhe sigurisht në ditët në vazhdim do diskutojmë edhe për emrat dhe për modalitetet. Sot ishte kaq.”, tha Noka.
Duke ironizuar kandidaturën e Ogerta Manastirliut nga Partia Socialiste, Noka deklaroi se qyteti nuk mund të përfaqësohet me nga një figurë siç ai e quajti “Miss Covidi”.
“Ne s’mund t’i japim Tiranës një kandidaturë si Miss Covidi, të fyesh dhe poshtërosh shqiptarët me një figurë të tillë.”, tha Noka.