Rigels Seliman
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ngritur alarmin dhe kanë shtuar presionin mbi Tiranën, duke lëshuar paralajmërime të ashpra që tingëllojnë si një furtunë që po afrohet mbi kokat e krerëve të bandave kriminale dhe mbrojtësve të tyre politikë. Në një kohë kur mediat ndërkombëtare shkruajnë përditë se Shqipëria është shndërruar në një parajsë të pastrimit të parave të drogës dhe një strehë për rrjete mafioze që operojnë në Amerikën Latine dhe kanë lidhje me pushtetin, amerikanët duket se kanë vendosur të zbresin fuqishëm në skenë, teksa synojnë që parme organeve ligjzbatuese shqiptare (SPAK dhe Policinë e Shtetit) dhe me asistencën e DEA-s dhe FBI, t’i japin një goditje të fortë baronëve të drogës që administrata Trump i cilëson si organizata terroriste. Në vetëm tri ditë (këtë javë), Uashingtoni ka lëshuar mesazhe të njëpasnjëshme, të cilat nuk lënë vend për interpretime: ora e llogaridhënies për bandat dhe trafikantët ka nisur të trokasë.
Mesazhet
Dje, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane, Nancy VanHorn, zhvilloi takimin e saj të parë zyrtar me Ministren e re të Punëve të Brendshme, Albana Koçiu. Por ky takim nuk ishte thjesht formal. Mesazhi që diplomatja VanHorn dha ishte i prerë dhe i ngjante një urdhri të ardhur nga lart: nuk do të ketë më asnjë tolerim për rrjetet kriminale që operojnë në Shqipëri dhe në rajon. “Sot, e Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, theksoi edhe një herë përkushtimin e qartë të Presidentit Trump për zhdukjen e karteleve dhe grupeve kriminale ndërkombëtare gjatë takimit me Ministren e re të Punëve të Brendshme, Albana Koçiu.
Duke punuar së bashku, forcat e rendit të Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë mund të çmontojnë rrjetet e paligjshme financiare dhe të mohojnë strehimin e sigurt për trafikantët e drogës dhe terroristët, duke i bërë të dy vendet tona më të sigurta”, theksoi ambasada, në një komunikatë që tronditi politikën shqiptare. Por kjo nuk ishte e vetmja goditje. Vetëm disa orë më parë, VanHorn u ul në tryezë me Ministrin e ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari. Edhe aty, fjala e saj ishte e prerë, duke lënë të kuptohet se koha e justifikimeve ka mbaruar. “Duke hapur rrugën për një bashkëpunim më të fortë në fusha me interes të ndërsjellë, sot, e Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, takoi Ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, në fillim të mandatit të tij të ri. Koordinimi i efektshëm me sistemin e drejtësisë penale në Shqipëri është kyç për çmontimin e krimit të organizuar dhe grupeve terroriste, një nga përparësitë kryesore të administratës Trump”, deklaroi ajo, sipas njoftimit të ambasadës së SHBA të publikuar në rrjetet sociale.
Ndërkohë e njëjta gjë u përsërit edhe në një takim që e dërguara e SHBA pati me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Mirela Bogdani këtë javë. “E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua dje me Kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdanin, për të diskutuar mbi ngjarjet e rëndësishme që do të zhvillohen në Këshill. Integriteti i procesit për zgjedhjen e Prokurorit të Posaçëm të SPAK është thelbësor për vazhdimin e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe për forcimin e sigurisë së vendeve tona”, thotë ambasada amerikane. Ndërkaq theksi që SHBA-të janë të interesuara për të çmontuar krimin e organizuar u përsërit edhe në një takim që diplomatja Nancy VanHorn, pati me kreun e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumanin, pak ditë më parë. “Shtetet e Bashkuara janë krenare që bashkëpunojnë me SPAK në përparësitë tona të përbashkëta për të goditur organizatat e rrezikshme kriminale ndërkombëtare që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë”, shprehej ambasada.
Prapaskenat
Por teksa shohim me kujdes situatën, ku vetëm në harkun kohor të tre ditëve, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn e ka përsëritur disa herë të njëjtin mesazh, se SHBA nuk do të lejojë më që Shqipëria të përdoret si vatër e pastrimit të parave, si bazë për trafikantët e drogës dhe si strehë për terroristët, duket qartë se jemi përballë furtunës së madhe të dallgëve të ligjit që pritet të përplaset në brigjet shqiptare. Dhe ajo që e bën edhe më dramatike këtë valë presioni, është fakti se VanHorn nuk flet në emër të saj, por në emër të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili ka shpallur hapur luftë për zhdukjen e karteleve dhe bandave ndërkombëtare. Pra kjo nuk është më thjesht një thirrje për bashkëpunim. Është një paralajmërim i ftohtë, një sinjal alarmi dhe një mesazh i koduar për të gjithë ata që kanë ndërtuar pasuri mbi drogën, korrupsionin dhe gjakun e njerëzve: furtuna amerikane po afrohet, dhe askush nuk do të mbetet i paprekur.
E Ngarkuara me Punë e Ambasadës Amerikane paralajmëron furtunë për terroristët dhe trafikantët, Trump kërkon…
