Libra dhe botime religjioze të fondit muzeal të MKAM ekspozohen për herë të parë

Ekspozita me libra dhe botime religjoze pjesë e fondit muzeal të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë u çel për publikun. Koleksioni i botimeve religjoze, dikur pjesë e kishave dhe katedraleve, u ekspozua për herë të parë në hapësirat e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar.
Muzeu ka pjesë të koleksionit të tij 25 Ungjij të Shenjtë, të cilët ju përkasin kryesisht shek.18 – 20-të dhe shumë botime të tjera fetare si liturgji, psalme, revista, etj. Muzeu shprehet se në këtë ekspozitë janë përzgjedhur 18 Ungjij, nga të cilët 6 përkasin shekullit të 18- të, 5 prej tyre shek. të 19-të dhe 1(një) fillimshek.të 20- të, përkthyer në shqip nga Kostandin Kristoforidhi. Dy libra shërbesash të përkthyera nga Fan Noli, në 1909, dhe liturgji, psalme, revista të po kësaj periudhe në gjuhën shqipe. “Unik është Dhiata e Re, dhuratë për Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar nga familja e e ILIA PETRO BRATKO. Për shumë vite, gjatë kohës së diktaturës është mbajtur e fshehur në bodrumin e shtëpisë së tij. Ungjilli është botuar në vitin 1879 në Shtypronjën e A. X.
Bojadini, në Kostandinopojë. Kjo Dhiatë është e shkruar në dy gjuhë: në gjuhën greke dhe në gjuhën shqipe me alfabetin e Stambollit. Dhiata është botuar me leje të posaçme nga Ministria e Arsimit, Stamboll”, thuhet nga muzeu. Me vlerë të jashtëzakonshme është Ungjilli i Kishës së Ristozit, Mborje Korçë, botim i vitit 1737, si libri më i vjetër të koleksionit të MKAM. Gjithashtu ekspozohen edhe disa dhurata të tjera, kundrejt kishave apo dhe muzeut. Kjo ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar u çel në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë Kulturore.