‘Rama po kopjon keq programin ekonomik të PD-së’, Teliti: Premtimet e tij për pensionet, të parealizueshme

Në një intervistë televizive me gazetarin Bled Marku, eksperti i ekonomisë së Partisë Demokratike, Dorian Teliti, ka komentuar programin ekonomik të PD-së dhe ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për kopjim të ideve të opozitës, pasi më parë kishte tentuar t’i denigronte ato.
“Ky angazhimi ynë për vendosjen e minimumit jetik dhe për rritjen e pensioneve të paktën 20 për qind, brenda 100 ditëve të para, nuk e kemi thënë sot, por që para një viti,” deklaroi Teliti. Sipas tij, kjo ishte një nismë konkrete e PD-së që u kundërshtua me forcë nga mazhoranca, përpara se të kopjohej nga vetë kryeministri.
“Kryeministri u mundua bashkë me enturazhin e tij politik dhe mediatik që ta ç’vlerësonte këtë angazhim tonin dhe nisi një fushatë agresive. Madje arriti ta krahasonte programin tonë me skemat piramidale,” u shpreh Teliti.
Ai theksoi se ndryshimi i qëndrimit nga ana e Ramës erdhi vetëm pasi u pa se programi i PD ishte realist dhe i zbatueshëm. “Pasi u pa që programi i PD ishte një program i bëshëm, i realizueshëm, kryeministri ndryshoi strategjinë dhe tha: meqenëse nuk arrij dot ta denigroj, atëherë ta kopjoj.”
Teliti ironizoi edhe mënyrën si është “kopjuar” programi: “Kopjimi që u bë nga programi ynë u bë keq.” Ai solli si shembull premtimin e kryeministrit për rritjen e pensioneve në 400 euro deri në vitin 2030, duke vënë në pikëpyetje realizueshmërinë financiare të një premtimi të tillë.
“Kryeministri thotë deri në 2030 do e çoj pensionin mesatar në 400 euro. Sot pensioni është 170 euro. Për 12 vite e ka rritur pensionin vetëm 40 euro. E tani premton 400 euro. Ku do t’i gjejë 2,5 miliardë euro në vit Rama, se kaq është kostoja?”, përfundoi Teliti, duke e konsideruar këtë si një tjetër përpjekje për të manipuluar opinionin publik në prag të zgjedhjeve.