Filmi “Luna Park”, që sjell një dramë të ndjerë në Shqipërinë post-komuniste përfaqësimi i Shqipërisë në “Oscar 2026”

Nga Julia Vrapi
Filmi “Luna Park” është përfaqësimi i Shqipërisë në edicionin e 98-të të çmimeve “Oscar”, që do të zhvillohen vitin që vjen. Filmi me regji nga Florenc Papas, është kandidatura e paraqitur nga shtëpia kinematografike “On Film Production” dhe u përzgjodh nga Komisioni Përzgjedhës në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë si përfaqësues i Shqipërisë në edicionin e 98-të të çmimeve “Oscar” në kategorinë “International Feature Film”. Filmi “Luna Park” nga regjisori Florenc Papas sjell një dramë të ndjerë në Shqipërinë post-komuniste. Një nënë e vetmuar, Mira, dhe djali i saj adoleshent, Toni, përballen me shpërthimin e dhunës civile që trondit vendin. Filmi me regji nga Florenc Papas dhe producent Dritan Huqi shënoi më parë dhe premierën kombëtare në “Tirana International Film Festival” që po zhvillohet këto ditë në Tiranë, ndërkohë që nga 24 shtatori “Luna Park” vijon në të gjitha kinematë. “Luna Park” nga Florenc Papas është një bashkëprodhim Shqipëri, Itali, Greqi, Kroaci dhe Kosovë. “Luna Park”, ku ngjarjet janë të vendosura në vitin e trazuar 1997 është përzgjedhur si përfaqësuesi i Shqipërisë për kategorinë e Filmit Ndërkombëtar në “Oscar 2026”, por në role vijnë aktorë si Nik Xhelilaj, Adriana Matoshi, Flonja Kodheli, etj. Filmi “Luna Park” është me skenar nga Florenc Papas dhe Glykeria Patramani. Pas premierës në Festivalin e Filmit në Selanik filmi me regji nga Florenc Papas është shfaqur edhe në festivalin “Goa” në Indi dhe “Sofia International Film Festival”, duke marrë vëmendje për cilësinë dhe tematikën që trajton. Ceremonia e çmimeve “Oscar” vitin që vjen pritet që të zhvillohet në Los Anxhelos më 15 mars 2026.
Thirrja nga QKK më parë për projektet kinematografike
Qendra Kombëtare e Kinematografisë shpalli më herët në muajin korrik thirrjen për paraqitjen e kandidaturave shqiptare në kategorinë “International Feature Film”, për edicionin e 98-të të çmimeve “Oscar”, që do të zhvillohet në vitin 2026. Qendra Kombëtare e Kinematografisë shprehej në njoftimin e saj se ftonte të gjitha shtëpitë kinematografike /producentët shqiptarë, që të paraqisnin pranë saj, filmat e tyre, si kandidaturë për t’u përzgjedhur, si një propozimi zyrtar i Shqipërisë në kategorinë “International Feature Film”, për edicionin e 98-të të çmimeve“Oscar”. Afati i fundit, për aplikim pranë QKK-së ishte data 1 gusht 2025. Sipas QKK-së Komisioni i Përzgjedhjes, i miratuar nga Academy of Motion Picture Arts and Sciences (A.M.P.A.S.), do të vlerësonte kandidaturat dhe do të shpallte filmin fitues që do të përfaqësojë Shqipërinë. Sipas njoftimit filmat shqiptarë, që do të ishin në garë për kandidaturën e Shqipërisë për çmimet “Oscar” vitin që vjen, premiera e tyre në vendin tonë duhet të jetë shfaqur jo më herët se 1 tetor 2024, por jo më vonë se 30 shtator këtë vit. Ndërsa filmi “Pikë uji” me regji nga Robert Budina ishte përfaqësimi i Shqipërisë për në çmimet “Oscar 2025”.