Gazetarja Jonida Qirko ka depozituar një denoncim pas marrjes së një sërë mesazhesh kërcënuese të lidhura me raportimet e saj mbi rastin e abuzimit seksual ndaj një të mituri në Këlcyrë, i cili është trajtuar gjerësisht në media dhe aktualisht po hetohet nga prokuroria lokale.
Mesazhet anonime kërkonin në mënyrë të drejtpërdrejtë që ajo të ndalonte raportimin mbi çështjen dhe përmbanin kërcënime të qarta ndaj saj. Ndërsa autorët ende nuk janë identifikuar zyrtarisht, Qirko ka shprehur shqetësimin se persona të lidhur me dy ish-punonjës policie që ndodhen nën hetim mund të jenë të përfshirë.
Për kërcënimet ndaj saj ka reaguar edhe Shoqata Europiane e Gazetarëve
Shoqata Europiane e Gazetarëve dënon me forcë kërcënimin e hapur ndaj gazetares së MCN TV në rajonin e Gjirokastrës, znj. Jonida Qirko, e cila është intimiduar publikisht në rrjetet sociale pas investigimit të saj mbi një skandal seksual ku të përfshirë rezultojnë edhe efektivë të policisë.
Ky akt përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit, duke synuar të heshtë gazetarin në kryerjen e misionit të tij profesional e publik. Çdo përpjekje për të frikësuar gazetarët është një kërcënim serioz për demokracinë, transparencën dhe drejtësinë.
Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë së Gjirokastrës dhe Policisë së Shtetit që të ndërhyjnë menjëherë, të hetojnë rastin dhe të vendosin para ligjit autorët e kërcënimit.
Raportoi për policët që abuzuan me të miturën, kërcënohet gazetarja në Gjirokastër
