Vladimir Doda: “Modus Operandi”  jo një komedi salloni, por një shfaqje për njerëzit

Qëllimi fillestar i punës kërkimore i autorit Vadimir Doda për veprën “Modus Operandi” ka qenë trajtimi i gjendjes së punëtorëve në mënyrë “poetike dhe me ironi” në Shqipëri. “Modus Operandi” vjen premierë këtë shtator në skenë. Një shfaqje që vjen në vijim të punës së Vladimir Dodës si dramaturg dhe regjisor me teatrin, ku premiera do të jetë në Lezhë. Në intervistën për gazetën “SOT” regjisori Vladimir Doda tregon për projektin e ri teatror dhe punën për ta sjellë në skenë për publikun këtë shtator. Ndër të tjera regjisori Vadimir Doda ndalet dhe te vështirësitë që hasin sot artistët në aktivitetin e tyre, ku tregon se në shfaqje flitet edhe për situatën e artistëve të rinj. Shfaqja në skenë shënon premierën më 26 shtator në Pallatin e Kulturës në Lezhë, por regjisori Valdimir Doda flet dhe për rëndësinë që ka qarkullimi i shfaqjeve nëpër skena të ndryshme të teatrove në vendin tonë, ku sipas tij kjo është e rëndësishme si për publikun e qyteteve të tjera ashtu dhe për aktorët. Shfaqja “Modus Operandi” vjen në skenë me interpretim nga Loredana Gjeçi, Vladimir Doda, Alesio Agjaku, Gledia Toma. Muzika Vigan Nimani, skenografia Gert Totraku, fotografi Eegys Baki dhe grafikë Ona Gjoka. Shfaqja që vjen tani në skenë është në vijim të aktivitetit artistik të Vladimir Dodës me teatrin. Vladimir Doda është i diplomuar fillimisht në Universitetin “La Sapienza” në Romë dhe më pas në Civica Accademia Nico Pepe, Udine. Ka ndjekur specializime pasuniversitare pranë CTA La Sapienza, Centro Teatrale Santa Cristina (Perugia), ERT Emilia Romagna Teatro (Modena), Accademia Teatrale Veneta (Venezia) etj. Përpara se të kthehej përfundimisht në Shqipëri në 2019, ka performuar kryesisht në Itali, por edhe në Francë, Rusi, Poloni dhe Rumani. Jashtë teatrit “Migjeni” të Shkodrës ai ka vënë në skenë me organizata apo ente teatrore të tjera, tre shfaqje me të rinj të Lezhës dhe Kurbinit, dhe me profesionistë në Durrës dhe Tiranë. Vladimir Doda ka një aktivitet artistik jo vetëm në fushën e teatrit, por dhe në fushën e kinematografisë.

– “Modus Operandi” me regji dhe dramaturgji nga ju vjen në skenë premierë këtë shtator. Ju si regjisor çfarë mund të na thoni më shumë për punën tuaj me këtë shfaqje, si nisi ky projekt?
Qëllimi fillestar ka qenë dhe mbetet trajtimi i gjendjes së punëtorëve në mënyrë “poetike dhe me ironi”. E theksoj, sepse gjendja e punëtorëve në Shqipëri nuk është surprizë se nuk është ndër më idealet. Prandaj nuk mund të merrja përsipër të trajtoja gjendjen e punëtorëve në përgjithësi, sepse do të ishte njësoj sikur të shkoja të kërkoja për të sëmurë në një spital. Në Shqipëri, sidomos po ta krahasojmë me BE-në, ku pretendojmë të hyjmë në vitin 2030 nuk ka as mbrojtje, as sindikata efektive dhe as sistem welfare. E sa për të përmendur disa prej gjërave, që kemi evidentuar në intervista të ndryshme: punëtorët bëjnë nga 2 deri në 3 punë, shumica nuk ka firmosur kurrë një kontratë pune, kanë shumë pak vite pensioni… e deri te fakti që u vonohen rrogat, i shantazhojnë, i izolojnë apo nuk ka meritokraci në ngritjen në detyrë, etj. Megjithatë, një pjesë e punëve që kemi shkuar të “peshkonim” me aktorët janë disa zanate në zhdukje, të cilat menduam se ishin interesante edhe për faktin se qëndrojnë në kontrast me ritmet e shpejta që sugjeron e tashmja. Për ta mbyllur si pyetje, ne kemi bërë takime dhe intervista për të njohur njerëzit, ata na interesonin, puna mbetet pretekst.
– Ju keni realizuar edhe projekte të tjera që janë mirëpritur, keni bashkëpunime me më parë me artistë të rinjtë në shfaqje dhe keni spikatur me punën tuaj me teatrin. Ajo që synoni ti përcillni publikut këtë herë me “Modus Operand”?
Nëse e them se çfarë synojmë të përcjellim kam frikë se mund të jap një shpjegim univok. Në një shfaqje çdokush mund të vijë dhe merr apo dhe refuzon, i nxitur nga shumë gjëra. Mund të them se është e sigurt se nuk sjellim një komedi salloni apo mbi krizë bashkëshortore… “Një shfaqje për njerëzit” e kemi quajtur gjatë provave. Pastaj do i pyesim çfarë u kemi përcjellur.
 -Në këtë shfaqje në skenë do të jenë tre aktorë në role, po ashtu dhe ju. Nëse flasim për aktivitetin e artistëve të rinj, sipas jush sa përkrahen sot?
Se sa janë të përkrahur artistët e rinj në Shqipëri e kam thënë disa herë dhe druaj se do të bëhem i mërzitshëm nëse e përsëris. Nëse ky projekt është i mbështetur nga Ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) (sapo pagëzuar MTKS) dhe unë nuk mund të ankohem personalisht, fakti është që kam filluar të aplikoj që nga viti 2014 dhe kjo është hera e parë që marr një projekt. Megjithatë, falënderoj shumë ministrinë, sepse do të thotë që, edhe pse pas shumë vitesh, mbase ndonjë person ka filluar të ekzaminojë CV-të apo projektet dhe të vendosë në një mënyrë të re, krahasimisht me ç’mund të kem parë të ndodhë rëndom ndër vite. E sa për mbështetjen e të rinjve në Shqipëri, ju kujtoj se po flisni me një të hequr nga puna në mënyrë të padrejtë. Prandaj nuk shoh mbështetje. Dëgjoj shifra, numra, ide, etj, por jo mbështetje. Në shfaqje flasim edhe për situatën e artistëve të rinj, uroj që publiku të vij ta shijojë.
-Shfaqja “Modus Operandi” është së shpejti premierë, por do jetë në skena të ndryshme, si në Lezhë apo Tiranë, etj. Sa shërben kjo për teatrin në vend, pra qarkullimi i shfaqjeve në skena të ndryshme?
Lëviza e shfaqjeve në qytete është e rëndësishme. Për mua nuk është retorikë. Është e rëndësishme si për publikun e atyre qyteteve ashtu dhe për aktorët. Por akoma më e rëndësishme është të bësh 3 shfaqje plot në rrethe se sa 3 shfaqje me nga 10 apo 15 spektatorë në teatrot e Tiranës. Jo sepse numri i publikut është indikator cilësie, por është e trishtë të shkosh në sallën e Teatrit Eksperimental dhe ta shohësh bosh që reprizën e dytë të një shfaqje (por dhe në të parën). Do të thotë se publiku është larguar, refuzon të shkojë, nuk i pëlqen programit, nuk është i nxitur etj.
Intervistoi: Julia Vrapi