“Veliaj përdoret, Rama përfiton”, Bushkolaj: Të gjitha aferat prekin direkt kryeministrin

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka votuar sot për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama që urdhëroi propozimin për largimin e tij.
Gazetari Elkier Bushkolaj në një emision televiziv tha se Veliaj mund të bëhet “kurban” për pastrimin e parave në ndërtim, duke përmendur periudhën 2019-2024 dhe dhënien masive të lejeve të ndërtimit. Ai shtoi se një vendim i Këshillit të Ministrave i ka dhënë Ramës monopolin mbi lejet e ndërtimit, duke i hequr kompetencat Këshillit Bashkiak.
Bushkolaj vuri në dukje se vetëm një biznesmen, Elman Abule, akuzohet për pastrim parash, ndërsa SPAK ka lënë “një litar të hapur” për të avancuar hetimet. Sipas tij, partnerët ndërkombëtarë, DASH, autoritetet ligjzbatuese ndërkombëtare dhe institucionet financiare po monitorojnë situatën.
Gazetari paralajmëroi se çdo zhvillim i ri mund t’i japë Ramës justifikimin për veprime të mëtejshme kundër ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ndërsa vetëm blerjet online të Ariola Xoxes nuk prekin drejtpërdrejt kryeministrin.
Bushkolaj:
Nese Arben Ahmetaj ka qenë një nga ata që u bënë kurban për aferën e inceneratorëve, unë gjykoj që Erion Veliaj do bëhet kurban për pastrimin e parave në ndërtim.
Pastrimi i parave në ndërtim ka ndodhur në periudhën nga 2019, le të themi, deri në 2024, ku janë dhënë masivisht ato lejet e ndërtimit dhe më pas ka pasur edhe një frenim për shkak të grupeve që u goditën nga partnerët ndërkombëtarë dhe në momentin që ka ardhur frenimi, ka ardhur një vendim i Këshillit të Ministrave që Edi Rama mori për vete monopolin e lejeve të ndërtimit, pra duke i hequr kompetencat.
Ne duhet ta kujtojmë se nga e gjithë dosja e Erion Veliajt janë një grup biznesmenësh të ndërtimit, por vetëm njëri prej tyre akuzohet edhe për pastrim parash, që është Elman Abule.
Dhe unë endoj se ky është një litar i lënë qëllimisht hapur nga SPAK për të avancuar hetimet në këtë drejtim.
Se çfarë ndodh, janë partnerët ndërkombëtarë, është DASH që e ngre alarmin, janë autoritetet ligjzbatuese ndërkombëtare që e ngrënë alarmin, janë institucionet financiare ndërkombëtare, qoftë FMN, qoftë Banka Botërore.
Dhe në momentin që do vijë një goditje në këtë drejtim, unë mendoj se Edi Rama do ta ketë justifikimin gati që ne kemi ish-kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit të arrestuar për këtë aferë.
Pyetja që shtrohet në gjithë këtë histori është: Hetimi i SPAK, do avançoje apo do mbetet aty, dhe është e drejtë ajo që thoni ju, e vetmja pjesë që nuk prek Edi Ramen janë blerjet online të Ariola Xoxes, të gjitha pjesët e tjera prekin direkt Edi Ramen, qoftë afera e inceneratorëve, qoftë ajo e lejeve të ndërtimit.