Këshilli Bashkiak shkarkon sot Veliajn/ Zhulali:Model i abuzimit dhe korrupsionit,PS po shkel procedurat me urdhër të..

Këshilli Bashkiak i Tiranës mblidhet pasditen e sotme për të diskutuar dhe votuar shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, i arrestuar prej datës 10 shkurt të këtij viti me urdhër të SPAK dhe masë sigurie arrest me burg nga GJKKO.
Mungesa e tij e gjatë në detyrë është bërë shkak që këshilltarët e PS të ndërmarrin procedurat për shkarkim. Anëtarja e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ilda Zhulali, deklaroi se opozita është pro shkarkimit të kryebashkiakut, por duhej që ai të ishte i pranishëm në mbledhje, ku të fliste dhe të dëgjohej sipas procedurave.
Ajo e cilësoi të njëanshëm refuzimin e kërkesës së Veliajt dhe pas këtij shkarkimi shtoi se qëndron urdhri i kryeministrit Edi Rama.
“Veliaj duhet të marrë pjesë në mbledhjen Këshillit Bashkiak. Ai ka bërë një kërkesë për të qenë pjesë. Kërkesa e zotit Veliaj nuk ka mbërritur kurrë në Këshillin Bashkiak, por ne jemi njohur me të përmes mediave. Ndaj do të jetë një votim i njëanshëm. Kjo gjë mund t’i shërbejë dhe nesër Veliajt për ta përdorur në gjykatë. Ky është një dëm financiar për qytetarët e Tiranës, pasi do të duhet të shpërblejmë zotin Veliaj për heqjen e tij në mënyrë të padrejtë, duke mos respektuar ligjin”, tha Zhulali për “Neës 24”.
Ajo mendon se Veliajt i takon e drejta ligjore dhe kushtetuese, kurse për shkarkimin shtoi se është ii vonuar.
“Ai e ka për detyrë që të shprehet në Këshillin Bashkiak, por dhe të dëgjojë se pse shkarkimi i tij është i vonuar. Sot është një ditë që kurorëzon një aksion, siç është shkarkimi. Ne kemi bërë denoncim për inceneratorin fantazmë të Tiranës. Ai ka sjellë dëme të mëdha financiare në dëm të qytetarëve të Tiranës”, vijoi këshilltarja demokrate.
Në fund ajo theksoi se Veliaj është model i korrupsionit dhe abuzimeve në institucion, por PS po shkel të gjitha procedurat për shkarkimin duke i refuzuar dëgjimin, e që nesër mund të kthehet në alibi ligjore nga vetë kryebashkiaku.
“Veliaj ka bërë jo vetëm një dëm financiar, por na ka lënë pas dhe një krim mjedisor. Veliaj do të shkarkohet me urdhër të Ramës. Veliaj është model i abuzimit dhe korrupsionit”, përfundoi Zhulali.