Këshilli Bashkiak i Tiranës ka nisur mbledhjen për të shqyrtuar shkarkimin e Erion Veliajt si kryetar bashkie.
Ky akt vjen pas ultimatumit që u dha Edi Rama më 11 shtator këshilltarëve të majtë. Kreu i PS kërkoi që ata të votojnë shkarkimin e Veliajt dhe të hapet rruga për zgjedhje të reja në kryeqytet.
Pas këtij ultimatumi, ata u mblodhën javën e shkuar në selinë e PS, ku diskutuan mbi mënyrën se si do të veprohet. Këshilltarët e morën qartë mesazhin se kush nuk firmos largimin e tij do ikë, dhe për këtë arsye të gjithë firmosën. Ndërkohë sot në Komisionin e Ligjeve në Këshill u formalizua kërkesa.
Vetë Veliaj ka kërkuar të jetë prezent. Fillimisht ju kërkua që ai ta dërgojë me shkrim oponencën e tij. Ndërkohë pak më parë ka reaguar Sekretariati i Këshillit Bashkiak, i cili bën me dije se nuk ka asnjë pengesë që Veliaj të jetë prezent. Mësohet se këtij të fundit i është dërguar një shkresë ku informohet për këtë pjesë.
Argumenti kryesor që do të përdoret për shkarkimin e tij është neni 62, pika c e ligjit për qeverisjen vendore, i cili parashikon shkarkimin për mosparaqitje në detyrë për një periudhë tremujore të pandërprerë.
Por duket se ky vendim do të hapë një luftë të re Rama-Veliaj. Burimet nga ekipi ligjor i kryebashkiakut në detyrë bëjnë të ditur se ata do t’i drejtohen Kushtetueses në rast shkarkimi.
Argumentet e tyre përqendrohen në faktin se Veliaj nuk mund të shkarkohet për sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë kundër tij dhe për sa kohë nuk është arrestuar në flagrancë duke kryer një krim në detyrë. Në momentin që bëhet ankesa, vendimi pezullohet.
Derisa të marrë vendimin Gjykata Kushtetuese, vendimi i qeverisë është i pezulluar dhe nuk ka zgjedhje. Pra bie plani i Ramës.
Do të votohet shkarkimi i Erion Veliajt, nis mbledhja e Këshillit Bashkiak, ja çfarë pritet
