Dua Lipa shkarkon agjentin pas fushatës kundër Palestinës në Glastonbury

Ylli botëror i muzikës pop me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, ka vendosur të përfundojë bashkëpunimin profesional me agjentin e saj disavjeçar, David Levy, pas zbulimit të përfshirjes së tij në një fushatë kundër Palestinës.Mediat britanike raportojnë se Levy ishte pas një iniciative që synonte pengimin e grupit irlandez Kneecap, i njohur për orientimin e tij propalestinez, nga pjesëmarrja në Festivalin e famshëm Glastonbury. Letra private dhe konfidenciale, e nënshkruar nga Levy dhe dërguar themeluesit të festivalit, Michael Eavis, i bënte thirrje këtij të fundit të anulonte performancën e grupit, për shkak të mbështetjes së tyre për kauzën palestineze.Pasi letra u bë publike, Dua Lipa reagoi menjëherë, duke shkarkuar agjentin dhe duke marrë masa që të mos kishte më asnjë rol në karrierën e saj. Një burim nga industria e muzikës tha se: “Dua u sigurua që David Levy të mos prodhonte më muzikën e saj. Artistja është një zë i fuqishëm në mbështetje të kauzës palestineze dhe nuk mund të toleronte taktika të tilla.”Fituesja e çmimit Grammy ka qenë prej kohësh aktive në mbrojtje të të drejtave të palestinezëve. Në maj të vitit të kaluar, ajo përdori platformën e saj në Instagram me 88 milionë ndjekës për të dënuar atë që e quajti “gjenocid izraelit në Gaza”, dhe ka marrë pjesë në protesta për të denoncuar bashkëfajësinë e vendeve të ndryshme në konflikt.Në gusht të këtij viti, gjatë festivalit të përvitshëm “Sunny Hill Festival” në Prishtinë, mesazhi “Liri për Palestinën” u shfaq në ekranin kryesor, duke përforcuar qëndrimin e saj të qartë publik.Pavarësisht përpjekjeve të Levy, grupi Kneecap performoi në Glastonbury në korrik. Policia ndërhyri pas disa ankesave, por çështja u mbyll shpejt për mungesë provash. Grupi e përshkroi hetimin si një “frikësim politik nga policia”.Që nga 7 tetori 2023, Izraeli ka nisur një ofensivë në Rripin e Gazës, ku janë raportuar mbi 65.300 të vrarë, shumica gra dhe fëmijë, një situatë që është cilësuar nga shumë organizata ndërkombëtare si krim humanitar dhe gjenocid.