Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku dy mjekë u përfshinë në një sherr me thika, ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri.
Në një postim në rrjetet sociale, Xhaferri e cilësoi incidentin si tregues të gjendjes së mjeruar ku ndodhet sot sistemi shëndetësor shqiptar. Sipas tij, mjekët që kanë mbetur në vend po zihen për pacientë, ndërsa profesionistët e vërtetë kanë zgjedhur emigracionin.
Ai ironizoi se ndoshta ministrja e Shëndetësisë do të garantojë se “thikat që përdorën në konflikt ishin të sterilizuara me taksat e shqiptarëve”, duke akuzuar se spitalet janë kthyer në “thertore ku operohet me Manualin e Bandës Onkologjikut”.
Xhaferri shtoi se këto akte tregojnë pasqyrën e vërtetë të sistemit shëndetësor, ku sipas tij “mercenarët e partisë janë bërë nga mjekë popullorë në shefa pavionesh”, ndërsa mjekët profesionistë janë larguar jashtë vendit.
Postimi i plotë:
Sherri me thika i dy mjekëve në Spitalin “Shefqet Ndroqi” tregon edhe njëherë gjendjen e mjeruar ku është katandisur sistemi shëndetësor, ku dhe ato pak mjekë që kanë mbetur zihen me thika për numrin e pacientëve, siç ziheshin dikur fatorinot e furgonave Tiranë-Durrës për pasagjerë.
Ndoshta sot Ministrja e Shëndetësisë do na garantojë se mjekët thikat që përdorën në konflikt i kishin të sterilizuara me taksat e shqiptarëve, por realiteti është se spitalet i kanë kthyer në thertore ku operohet më Manualin e Bandës Onkologjikut.
Këto akte vandale janë pasqyra reale e sistemit tonë shëndetësor, ku mjekët profesionistë kanë marrë udhët e mërgimit dhe mercenarët e partisë janë bërë nga mjekë popullorë në shefa pavionesh.
Sherri me thika i infermierëve, Xhaferri: Ministrja Sala do të na garantojë se armët e ftohta i kishin sterilizuara
