Ekspozita “Mos kthe kokën nga shtëpia që digjet”, Jutta Benzenberg: Është historia ime personale dhe e Shqipërisë

“Mos kthe kokën nga shtëpia që digjet” vjen përmes fotografive nga fotografja Jutta Benzenberg. Ekspozita që çel këto ditë në Tiranë sjell tre kapituj të punës së Benzenberg: vitet ’90 – fotografi të jetës dhe realitetit shoqëror të kohës; kolazhet – rikrijime nga fragmentet e negativët e djegur; negativët e djegur – imazhe të ekspozuara për herë të parë nga arkivi i fotografes. Ekspozita u çel në galerinë hbs, pjesë e pavijonit të përkohshëm në sheshin “Skënderbej”  dhe në të njëjtën ditë u mbajt edhe promovimi i librit me të njëjtin titull, botuar nga fondacioni Heinrich Böll, zyra Tiranë, me përkujdesjen e kuratorit Olsi Hoxha, një ese nga Bashkim Shehu, si dhe tekste të dr. M. Gökhan Tuncer, drejtor i fondacionit në fjalë dhe vetë autores.
Në hapjen e ekspozitës “Mos kthe kokën nga shtëpia që digjet” i pranishëm ishte edhe ambasadori i Bashkimit Eurpoian në Shqipëri, Silvio Gonzato. Vetë fotografja Benzenberg shprehet se kjo ekspozitë është dhe historia e saj. “…..Duhet të them se kjo ekspozitë ka të bëjë me rezistencën, ka të bëjë me emocionet dhe anën e pavetëdijshme dhe nuk është vetëm për mua, për Shqipërinë, është historia ime, historia ime e familjes, historia ime personale. Nuk munda të flija me javë të tëra, duke pritur se si do të ishte reagimi kur të shihnit këta negativë të shkatërruar… Ajo që dua të them është se shtëpia ime u dogj, por e rindërtova. Nuk e lashë të ndodhte kështu. E rindërtova në 6 muaj. Rindërtova edhe diçka këtu, në formën e kolazheve”, shprehet Benzenberg. Vitet 1990 shënuan një nga kthesat më dramatike në historinë e Shqipërisë: nga izolimi i gjatë dhe rendi autoritar, drejt një realiteti të ri të mbushur me shpresa dhe tronditje të thella. Ishte pikërisht në këtë periudhë që fotografja gjermane Jutta Benzenberg mbërriti në Shqipëri, për të dokumentuar përmes aparatit të saj çastet e një shoqërie në transformim. Për më shumë se një dekadë, ajo krijoi një arkiv sa personal aq edhe historik, duke sjellë sa fragmente të jetës së përditshme. ashtu dhe ndryshime të rëndësishme socio-politike.
Në vitin 2006, një zjarr shkatërroi mbi 90 përqind të këtij arkivi. Për shumë vite, humbja e madhe e mbajti autoren larg këtyre kujtimeve. Por në vitin 2023, së bashku me artistin Olsi Hoxha, ajo nisi procesin e rikthimit dhe rimagjinimit të negativëve të djegur. Rezultati është një vepër e re: imazhe që qëndrojnë mes fotografisë dhe artit, mes kujtesës dhe ëndrrës, mes asaj që është humbur dhe asaj që mbetet. Kjo ekspozitë që sjell tre kapituj të punës së Benzenberg do të presë vizitorë deri në 16 nëntor dhe shoqërohet nga një program i gjerë edukimi politik dhe kulturor që përfshin biseda, punëtori, shfaqje filmash dhe net kulturore, duke hapur një hapësirë të re për reflektim mbi vitet ’90 në Shqipëri.