Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar sot, propagandën sipas saj me ministren virtuale “Diella”, duke theksuar se realiteti është krejt i kundërt me narrativën e kryeministrit Rama.
Sipas saj, që në ditët e para të mandatit të ri, platforma e blerjeve të përqendruara ka treguar mungesë totale transparence.
“Në faqen e prokurimeve publike, dokumentet janë bosh për çdo vit. Nuk ka asnjë informacion për sektorin më të korruptuar – tenderat, koncesionet dhe prokurimet publike,” u shpreh Tabaku.
Ajo theksoi se qytetarët po paguajnë dy herë koston e korrupsionit: një herë për paratë që vidhen nga zyrtarët dhe herën e dytë për mungesën e transparencës që rrit vlerën e kontratave shumë mbi realitetin.
“Kostoja e këtij sistemi jo transparent rëndon direkt në xhepat e shqiptarëve, ndërkohë që qeveria shpenzon miliona për propagandën e avatarëve digjitalë,” tha deputetja demokrate.
Tabaku paralajmëroi se ky model nuk do të ndryshojë për katër vitet e ardhshme nëse nuk ndërtohet një sistem i drejtë që lejon konkurrencë të vërtetë. “Korrupsioni nuk luftohet me propagandë, por me institucione të forta dhe rregulla që garantojnë barazi loje,” nënvizoi ajo.
“Korrupsioni nuk luftohet me avatarë”, Jorida Tabaku godet qeverinë: Diella bën ‘show’, xhepat tanë vuajnë
