Kultura shqiptare në Oktoberfest! Kostumet tradicionale parakalojnë në Mynih

Një moment historik për kulturën shqiptare u shënua  në zemër të Gjermanisë, gjatë festivalit më të madh popullor në botë, “Oktoberfest”, që zhvillohet çdo vit që prej vitit 1810 në qytetin e Mynihut. Për herë të parë në historinë e këtij eventi prestigjioz, veshjet tradicionale shqiptare u prezantuan në mënyrë madhështore në paradën e famshme të “Trachten – und Schützenzug”, ku marrin pjesë rreth 9 mijë pjesëmarrës nga e gjithë Evropa, të veshur me kostume historike dhe kulturore.Ky prezantim i veçantë u realizua falë përkushtimit të Shoqatës Kulturore “Iliria München”, e cila prej 25 vitesh mbështet dhe promovon kulturën shqiptare në Bavari. Me mbështetjen e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, një grup prej 40 anëtarësh shqiptarë, të veshur me kostume tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare, përfaqësuan me dinjitet trashëgiminë tonë kulturore.Ndër veçoritë më të veçanta të paradës ishte xhubleta, veshja ikonike shqiptare me origjinë mbi 4000-vjeçare, e njohur nga UNESCO si pasuri e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit, e cila udhëhoqi përfaqësimin shqiptar në këtë ngjarje ndërkombëtare.Nën flamurin e Shqipërisë, parakaloi Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Bavari, Gentiana Mburimi, e veshur me kostumin karakteristik të grave të Jugut. Krah saj, nën flamurin e Kosovës, parakaloi Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, duke dhënë një moment simbolik të bashkimit kulturor dhe respektit reciprok midis dy vendeve.Parada përshkoi rrugët kryesore të qytetit të Mynihut me një itinerar prej 7 kilometrash, duke u ndjekur nga mbi 6 milionë vizitorë ndërkombëtarë, si dhe nga mijëra shikues përmes transmetimeve televizive direkte në Gjermani dhe jashtë saj.Ky prezantim historik jo vetëm që forcoi lidhjet kulturore me Evropën, por gjithashtu tregoi botërisht pasurinë, elegancën dhe lashtësinë e trashëgimisë shqiptare. Suksesi i pjesëmarrjes së shqiptarëve në Oktoberfest përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të kulturës shqiptare dhe një ftesë për botën që të njohë më nga afër bukuritë dhe vlerat tona tradicionale.Shoqata “Iliria München” ka deklaruar se ky është vetëm fillimi i një serie aktivitetesh që synojnë të promovojnë kulturën dhe traditat shqiptare në skenat më të mëdha ndërkombëtare.