Foto me cigare në ambient të mbyllur, ministrja Albana Koçiu shkarkon zv.ministrin nga detyra

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu e nis detyrën me “dorë të hekurt” që në ditët e para të emërimit në pozicionin e ri. 
Një prej vendimeve të saj pak ditë pas betimit në presidencë ka qenë propozimi që i ka bërë qeverisë për të shkarkuar nga detyra zv.ministrin Andi Mahila. 
Cigarja që po konsumonte brenda një ambienti të mbyllur i ka kushtuar vendin e punës zv.ministrit. 
Mahila, i cili mbante këtë detyrë prej vitesh, është fotografuar duke konsumuar cigare në një ambient të mbyllur në kundërshtim me ligjin. 
Qytetari e ka denoncuar rastin te ministrja e Brendshme Albana Koçiu. Pas shqyrtimit të rastit, ministrja ka propozuar shkarkimin e Andi Mahilajt dhe më pas është liruar nga detyra. 
Andi Mahila mbante detyrën si zëvëndësministër i Punëve të Brendshme që nga janari 2021. Pas shkarkimit nga qeveria, ministrja Koçiu ka njoftuar edhe qytetarin që kishte denoncuar rastin, për vendimin. TCH