Një lokal do të jetë pjesë e një ndërtimi që do të realizojë qeveria në qendër të Ksamilit, në Sarandë. Projekti me vlerë 5.5 milionë euro përfshin një kullë vrojtimi si dhe një godinë funksionale.
Në dokumentet e publikuara, ndërtimi përfshin edhe një kafene me sipërfaqe të madhe, brenda strukturës që po ndërton shteti.
Faksimile: Leja e KKT-së për ndërtimin në Ksamil parashikon edhe një lokal
Sipas dokumenteve, ndërtimi është quajtur “Qendra e Mikpritjes”, ndërkohë që zona e zhvillimit ndodhet në qytetin bregdetar të Ksamilit, Bashkia Sarandë, dhe përfshin një sipërfaqe trualli prej 4075 m² dhe sipërfaqe për zhvillim prej 2838 m².
“Vendndodhja në zemër të qytetit siguron që Qendra të shërbejë si një pikë gravitacionale për aktivitetet komunitare dhe si një destinacion atraktiv për turistët. Pozicioni topografik i truallit ofron gjithashtu mundësinë për pamje të hapura dhe lidhje vizuale me elementët natyrorë përreth, siç janë liqeni i Butrintit, deti Jon dhe peizazhi kodrinor që karakterizon zonën” thuhet në dokumente.
Sipas tyre, kjo vendosje e privilegjuar ka ndikuar në konceptin arkitektonik të ndërtesës, duke përfshirë në dizajn jo vetëm funksionalitetin, por edhe estetikën e integrimit me natyrën dhe respektimin siluetës urbane të Ksamilit.
Në foto: Projekti që do të ndërtohet në Ksamil
Sipas KKTU-së, në zonën e zhvillimit parashikohen funksione të integruara, si qendër komunitare me hapësira edukative, sociale dhe kulturore, një kullë vëzhgimi me funksione panoramike, rekreative dhe shërbimi. Gjithashtu edhe hapësira të gjelbra publike, shëtitore dhe tarraca të aksesueshme.
Në dokument theksohet se do të ketë kullë dhe katet e sipërme. “Kulla e vëzhgimit është një strukturë vertikale simbolike që ngrihet në një lartësi maksimale prej 40.6 metrash. Në katet e saj ndodhen funksione të ndryshme si kati i katërt (96 m²) hapësira teknike dhe depo për barin. Kati i pestë (96 m²) lokal me pamje panoramike dhe urë lidhëse me çatinë e ndërtesës së komunitetit” thuhet në dokument.
