Pas mbylljes së raundit të parë të pranimeve në institucionet e arsimit të lartë, maturantët nga kjo e shtunë kanë nisur aplikimet për raundin e dytë, për t’i hapur rrugën më pas procesit të regjistrimit më 29 shtator.
Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, sqaron se programet e studimit me konkurs kanë ezauruar të gjitha kuotat që në raundin e parë, por ende ka shumë vende të lira në programet e kërkuara këto vitet e fundit.
“Gjatë raundit të parë ecin kryesisht ato programe që kanë konkurs, si Mjekësia e Përgjithshme, Arkitektura, Urbanistika. Ato u ezauruan brenda tri ditëve të para. Gjithashtu edhe akademitë e sigurisë dhe mbrojtjes, që kanë konkurset e tyre, u ezauruan brenda fazës së parë. U reflektua gjithashtu ajo që ndodhi gjatë procesit të aplikimit, ku dy grupimet kryesore, të inxhinierive dhe teknologjisë nga njëra anë, dhe shkencat që lidhen me shëndetin dhe Infermieria nga ana tjetër, patën numrin me të lartë të aplikimeve, që lëviznin te 30 për qind. Në procesin e regjistrimit u reflektua e njëjta gjë me një përqindje më të ulët të procesit të regjistrimit, sepse ka akoma kuota të lira në këto dy grupime,” shprehet z. Xhelaj.
Drejtori i RRASH-it sqaron se interesi për programet dyvjeçare në këtë raund të parë nuk ka qenë i madh, por pritet një rritje e kërkesës gjatë raundit të dytë.
“Diçka më pak janë regjistrimet në programet dyvjeçare krahasuar me aplikimet, ku ne lëvizim te 10 për qind. Tani jemi jo më shumë se 7 e pak për qind. Grupimi i maturantëve që kanë ngelur, plus ata maturantë që kanë ardhur nga vjeshta, kanë akoma mundësinë për t’u regjistruar. Një pjesë e mirë e tyre do të regjistrohen në programet dyvjeçare, se vetë mesatarja që kanë nuk ua lejon të aplikojnë për Bachelor,” thotë z. Xhelaj.
Raundi i dytë përmbyllet në 10-ditëshin e parë të muajit tetor. Ai do të pasohet edhe nga një raund i fundit, i cili do të përfshijë brenda auditorëve edhe maturantët e pavendosur, të cilët në fund do t’u duhet të zgjedhin degën për të cilën do të studiojnë.
Universitetet nisin aplikimet për raundin e dytë, kuota të lira në shumë programe të kërkuara
