Policia holandeze ka përdorur gaz lotsjellës dhe uji për të shpërndarë një protestë të dhunshme kundër emigracionit që u zhvillua në qytetin e Hagës.
Sipas autoriteteve, rreth 30 persona u arrestuan dhe dy efektivë policie mbetën të plagosur gjatë përplasjeve, pasi protestuesit përballen me forcat e sigurisë duke hedhur gurë dhe shishe në drejtim të tyre.
Agjencia e lajmeve ANP raportoi se rreth 1,500 persona bllokuan një autostradë që kalon përmes qytetit, ndërsa një automjet policie u vu në zjarr.
Kryeministri Dick Schoof dënoi pamjet, duke i quajtur ato “tronditëse dhe të turpshme”, ndërsa shtoi se dhuna ndaj policisë ishte “tërësisht e papranueshme”.
Edhe lideri i së djathtës ekstreme, Geert Wilders, i cili fitoi zgjedhjet e fundit në Holandë dhe vazhdon të kryesojë sondazhet përpara zgjedhjeve të 29 tetorit, u ftua të merrte pjesë në protestë, por nuk ishte i pranishëm. Në një deklaratë, ai dënoi gjithashtu dhunën, duke e quajtur aktin një vepër të kryer nga “idiotë”.
Protesta ishte organizuar nga një aktivist i krahut të djathtë, me kërkesa për politika më të ashpra migrimi dhe ndalimin e fluksit të azilkërkuesve.
Përplasjet shpërthyen kur grupe të mëdha protestuesish, shumë prej të cilëve mbanin flamuj holandezë dhe simbole të lidhura me grupe të ekstremit të djathtë, u përballën me policinë.
