Policia e Durrësit ka goditur një tjetër rast të ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit. Në kuadër të kontrolleve të vazhdueshme, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh evidentuan një lokal në sektorin Hekurudha Plazh, ku disa persona vendosnin baste sportive nëpërmjet telefonave celularë.
Si rezultat i veprimeve policore, u arrestua një 37 vjeçar, ndërsa u proceduan penalisht në gjendje të lirë tre të tjerë.
Të katër këta shtetas do të hetohen për veprën penale “Organizimi i lotarive, lojërave të fatit apo bixhozit, në kundërshtim me dispozitat ligjore”.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh, Komisariati i Policise Durres, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme në ambiente të ndryshme, kanë evidentuar një lokal ku ushtrohej kjo veprimtari.
Në vijim të veprimeve, u arrestua shtetasi D. I., 37 vjeç, banues në Durrës, si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit D. B., 35 vjeç, M. D., 27 vjeç dhe N. K., 62 vjeç, të gjithë banues në Durrës, për veprën penale “Organizimi i lotarive, lojërave të fatit apo bixhozit, në kundërshtim me dispozitat ligjore”.
Këta shtetas janë konstatuar në një lokal, në sektorin Hekurudha Plazh, duke vendosur baste sportive në telefonat e tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.
/vizionplus.tv
